Dardan Berisha - CIKËL POETIK (përgatiti dhe redaktoi A. Kosta)

Dardan Berisha - CIKËL POETIK (përgatiti dhe redaktoi A. Kosta)
DARDAN BERISHA
 
Dardan Berisha ka lindur më 04 gusht të vitit 1963 në fshatin Kromnik, Rrethi i Rahovecit - Kosovë. Ai filloi të merrej me shkrime që nga klasa e gjashtë në shkollën fillore. Ka botuar poezi përa fëmijë në revistat: "Pionieri", "Zog Mëngjesi", dhe në revista të tjera të ndryshme për moshat e vogla. Berisha ka botuar gjithashtu edhe në revista e gazeta të cilat po i përmendim më poshtë:
"Miqtë e Gazetës Muzgu", dhe në Antologjinë numur 10 - 11, edituar nga Mark Simoni në Tiranë, "Fokus" edituar nga Prend Ndue Buzhala në Prishtinë, Galaktika Poetike “ATUNIS”, edituar nga Agron Shele, Belgjikë, Antologjia Poetike “Vargje Për Nënën, përgatitur nga Hasan Qyqalla dhe Fran Tanushi në Gjermani, "Aurora", revistë letrare - kulturore, edituar nga Avdullah Troshupa, Lipjan, “Këngët e Rilindjes” - grup autorësh, përgatitur nga Mehdi Krasniqi, Malishevë, "Zahir Pajaziti - "Syri i lirisë", edituar nga Rudi Berisha, Podujevë,  "Çelna Udhë", grup autorësh me poezi kushtuar Shenjtores Nënë Terezës, edituar nga Ismet Krasniqi, Rozafa, 2017 në Prishtinë, etj.

Veprat e para që ka botuar janë:
1. Foka e Verbër, tregime për fëmijë, 2007 Gutenberg, Prishtinë
2. Fluturimi i ngurtë, dramë për të rritur, 2010, Drenusha, Prishtinë.
Dardan Berisha është bashkautor i monografisë
3. Mustafë Ibishi, me Mag. Jetish Kadishanin, 2009, Drenusha, Prishtinë
4.  Nëna Guri Ku Unë Lutem, poezi për të rritur, 2022, Prishtinë, e cila është vepra e tretë.

MJELLMA E BARDHË

Ah mjellmë, e bardha mjellmë, nëpër ajrin tim
Kur rrah flatrat, më shkul epshet, peshë i çon.
Nuk jam poet të shkruaj poezi
për ty mjellmë e bardhë
Dhe për kostumin e hënës sall argjend
Aq më pak Migjeni,
që diti t’i shkruaj edhe qymyrit
Me kutërbimin,
ngjyrën dhe pluhurin e zi korb
Vallë, ç’është qymyri?
Përse duhet t’i afrosh flakën që ai të të kallë?
Jo! Nuk jam poet!
Por, vetëm dëshiroj t’i shkruaj të bardhës mjellmë,

Hënës së argjendtë
dhe dritës që shkëlqen në syprinën e liqenit
Atëherë në mesnatë!
Unë rob i flatrave të asaj mjellme
Që kur hap krahët e shkunden puplat

Më pushton epshi dhe shkrehem në ekstazë

Mjellmë e bardha mjellmë, andej nga ti vjen
Një unazë lidh dy shpirtra
Që ecin me qerren e ëndrrave të bardha
U gjunjëzova nga qielli i errët me ato miliarda yje që shndrijnë
- Të lutem qiell, – i thash – ma fal një yll!
Qielli më dhuroi miliona yje,

dhe unë ndërtova një yll
Mjellmën time
Dhe i fala emrin tim, por jo dhe fatin.
Një shpirt u ngjiz në shpirtin tim...

TË BUKURËS SË DHEUT

Një baladë e tërë shkrihet në fytyrën tënde
Dhe mbytet në thellësinë e syve tu
E unë...
Unë shtrihem kalldrëm andej nga hedh hapat.
Bëhem dhe ombrellë të të bëj hije
Dielli i gushtit mos të të përcëllojë

E shiu i vjeshtës mos të të lagë.
Unë hero
Bukurisë tënde i përkulem!

GRUAJA ME TRËNDAFILIN MAGJIK

Edhe se të dashuroj me gjithë qenien time
Ty nuk ta ndaloj t'i dhurosh trëndafilin Mjellmës
Që ke përzgjedhur për t'përmbushur ëndrrën tënde

Por nëse Ai nuk ta pranon e tutje ka ikur
Kthehu tek unë!

Mua më gjen në pritje
Aty ku më ke lënë me hapikjen e parë
Duke u përpjekur plagët të t'i fashoj
Edhe nëse nuk arrij plagët t'i shëroj
Sëpaku të të mos rriten e thellohen.
Nuk dua të ndjehesh si trofe e rënë nga duart
Por si trofe që gjen ato duar

që sigurt të mbajnë
Të fusin në atë zemër që ngrohtësi dhuron.
Eja stralli im!

Me fërkim xixat e para t'i shpërndajmë
Eshkën ta nxjerrim nga kuverta, zjarr t'i japim
Jeta pa dhimbje, xixa e flakë, nuk është jetë...
Nëse ke humbur udhën, dëgjo zemrën tënde
Ato tinguj kërkojnë rrahjet e zemrës që dashuron!
Nëse dëgjon një këngë diku në mesnatë pa hënë
Është vaji im në vetmi, pa dritë, pa ngrohtësi,
Nuk i shoh, as i ndjej prangat në gjymtyrët e mia.
Vallë, përse nuk lëviz?
Këtë nuk e kuptoj
Ti eja me trëndafilin magjik
shpirtin nga prangat m’i liro!

(8 Shator, 2017)

SHIGJETË DASHURIE

E dashur
mendoj se më shumë se unë
nuk të dashuron askush
Por nëse drejt teje vjen një shigjetë
Hape gjoksin
lëre të futet në zemrën tënde!
Edhe nëse shigjeta nuk jam unë...

(13 Mars 2021, Prishtinë)

HËNË PËR KË U ZHVESHE SONTE

Deri mbrëmë u zhveshe për mua
Sonte që unë nuk jam pranë teje
Për kë u zhveshe Hënë?
U zhveshe apo të zhveshën?
Gjer mbrëmë kishe ngjyra jete
Sonte vetëm ngjyrë argjendi
Hënë kush të ktheu në daulle të llamarintë
Nga zhurma e së cilës
Mjellmat vdekur në liqe ranë
e ujku në Bjeshkët e Namuna
Dhembshëm për ty ulërin?

Hënë
të lutem më jep një copë nga këmisha jote
Të mund të arnoj këmishën time
Se e copëtova për t'i mbuluar dasmorët e lirisë:
Heronjtë, dëshmorë e viktima
Nga të palindurit deri te më plaku.
Hënë tani bën shumë ftohtë
Më duhet ajo copë e këmishës tënde
Tek ti nuk ka stuhi
Tek ti nuk arrijnë paragjykimet
Ty nuk të lag shiu!
Hënë derisa ti u zhveshe
e për këmishë nuk paske nevojë
Përse nuk arrin tek unë këmisha jote?
Sonte që unë nuk jam pranë teje
Për kë u zhveshe sonte Hënë?

CILI ISHTE MË I DEHURI

Unë pija raki
Shpirti im pinte dashuri
Nuk e dinim cili ishte më i dehuri?
Ëndrrat ulur në karriget e spektatorëve
Ishin lodhur për vdekje
Na duartrokitnin e brohoritnin
Ne nuk e dinim cili ishte më i dehuri

(14 Janar 2024, Prishtinë)

MOS I LAJ DHËMBËT E INFEKTUARA NGA DASHURIA

Mos këmbëngulni me ia la dhëmbët dashurisë
Edhe nëse i ka shumë të infektuara
Veç përkëdhelja
që t'i rriten aq shumë
Sa me një të kafshuar
Me t'i çel vërragët deri n'thellësi t'shpirtit
E ti, nga dhembjet e vërragëve
me u deh n'epshin e lakuriqësisë
Me u strukë në mitrën e thellë të ofshamës
E me u kënaq e me u kënaq
Derisa të gjitha ngjyrat të bëhen një gërshet ylberi
E ti i lidh n'brez e ngjitesh në kullën e lumturisë

(2 Nëntor, 2023 - Prishtinë)

Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta