Vjollca Aliu, poezi

Vjollca Aliu, poezi
ZEMRËS I BËRA PESHQESH
 
Me dhimbjet e shpirtit bëra skulpturë
Lotët e dhimbjes i fshiva me petale lulesh
Shpirtin e mërdhirë ngroha me zjarr eshkeje
E me forcën e shpirtit u shndërrova në kala.
 
Me dhimbjet që më vinin si plumba
Mbusha karikatorin e qëndresës sime
Si fijet në qilim lidha zemrën e mendjen
E pamposhtur në betejat që më vinin rrufe.
 
Sa herë kam mbledhë copëzat e shpirtit
Dhe me to kam ringritur mozaikun e rijetës
Kam ujitur shpirtin me lotët e pandalshëm 
Për ta njomë zemrën si lulen vjollcë erëmirë.
 
Sot diellin e shoh ndryshe nga dje
Jo rrezevrarë, por të shndritshëm si ar
Sot fytyrës nuk i dhuroj dot më lotë
Zemrës peshqesh çelësin shpresë plotë.