Nezi Plaku Velaj - KURSEJE TË LUTEM FJALËN!

Nezi Plaku Velaj - KURSEJE TË LUTEM FJALËN!
KURSEJE TË LUTEM FJALËN!
 
Kursei të lutem fjalën nga goja kur e nxjerr!
Peshoje mirë fjalën, se ka peshë të rëndë!
Thuaje fjalën të zërë vënd në kuvënd!
Mos ta marrë era dhe vlera mos t’i humbë.
 
Fjala kur del nga goja, prapa s’kthehet më,
Është si plumbi që godet drejt e në shenjë,
Dhimbjen e ndjen ai, që fjala e shpon tej për tej
Më mirë një shuplakë, ose bjeri me plumb.
 
Pasuri është fjala, kur e thua me vënd,
Thuaje, mos e burgos të lidhur në pranga,
Fjala të zërë vënd rëndë, si guri në themel,
Mos bëj lojëra me peshën dhe rëndësinë e fjalës.
 
Fjalën e art, mos e kthe kurrë në rrebesh!
Fjala është arma që mund të mbrohesh,
Mos bëj lojëra fjalësh se kërkund s’të nxjerr,
Vetëm përulesh, poshtërohesh, përçmohesh.
 
Fjala të krijon vuajtje, psherëtima, netë pa gjumë,
Fjala të ngre lart, të çon në qiell të shtatë,
Fjala të bën vënd, të ul aty ku s’ta merr mëndja,
Dhe pazaret më të ndyra bëhen me fjalën.
 
Thonë, se fjala hedh ujin përpjetë si shatërvan,
Fjala, dallgën shtatë ballë e qetëson,
Fjalën po e përçove ëmbël, me vënd dhe me takt,
Kafshët më të egra i zbut, luftës i thotë “Stop”.
 
Nuk është e vërtetë, të gjitha fjalët i merr era,
Ka fjalë që janë si mjalti, ilaç që shpirtin shërojnë,
Të tjera që i lëndojnë shumë plagët e rënda,
Ka dhe fjalë të pa kuptimta, e të tjera që therin fort.
 
Ka fjalë që s’lëvizin kollaj si gozhda në tra
Xhvishen në lakuriqësinë e tyre neveritëse,
Ka të tjera që lëvizin lehtë, si gozhda në mur,
Ruhet në sirtar çdo fjalë, qoftë e mirë, apo e keqe.
 
Gjykoje fjalën kur e nxjerr nga dhëmbë e dhëmballë,
Gjuha kocka s’ka, por kockat i thyen,
Ç’e do pasurinë kur ke fjalën “kapital”,
Kujdes kur flet, vetëm ti mund ta bësh zap fjalën!
 
Sa njerëz janë vrarë vetëm për një fjalë?
Sa të tjerë kane përfunduar nëpër pranga?
Sa çifte janë ndarë pa shkak, se dikush ka thënë një fjalë,
Për këdo që shpirtin e çon në ferr,
Ndjej neveri, ndjej vetëm përbuzje.
 
Tiranë 22. 12. 2019