Namik Selmani - Poezi

Namik Selmani - Poezi
Namik Selmani
Ka lindur në Sarandë më 1950 Është autor i 80 librave me llojshmëri të ndryshme letrare
Jeton prej vitesh në BOSTON -SHBA
Është dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
 
1.   Ti mundesh
(Grave të dhunuara)
 
 Ti mund ta arrish majën e mbushur me thiknaja e ferra
Mund të prekësh edhe ëndrrën që të dukej përrallë.
Mund të jesh lundërtare diku në det, mbase pa vela
Mund të hysh në tunele me mistere që askush s’i ka parë.
 
Ti mund të këndosh këngë lumturie pa zë të ngjirur.
Të ngrihesh mbi urrejtjen pa patur pranë një pajtimtar.
Të shtrëngosh patericat me zemrën e buzën e dridhur.
Po të mos rënkosh kur mes gjurit gjaku ka dalë.
 
Mund të jesh regjisore dhe aktore në Skenën e Jetës.
Ku në vend të prozhektorëve qirinj e mekët të ndezin.
Fytyrën mund të ta fshehin mjegullat mes reve.
Dhe partiturat me pentagramet si murgjër do të heshtin.
 
Ngrihu mbi shkretëtirën ziliqare që të jep paraja!
Pa patur nevojë që të bëhesh një memece moderne.
Ke një oaz gjelbëror te gjoksi, te hapi, te fjala.
Ke një far të saktë për detin që trupit derdhet.
 
Ti nuk je kreshnike ardhur nga eposi, mes bjeshkës i fshehur
Mund të mos jesh Gjergji që Bajlozin e pret në betejë.
Ti mund të fitosh me një lot të nxehtë gëzimi të derdhur.
Që i vë fitores së shumëpritur kurorën e vërtetë.
 
Mund të mos jesh Hamlet shekspirian nën shandanë.
Mund të mos jesh Don Kishot i krisur para mullinjve.
Ti mundesh, ti mundesh, t’ia dalësh përherë mbanë
Në ugarë zemre si lavërtar të mbjellësh farë krenarie.
 
Mund të të vënë gurë fort të rëndë të Sizifit mes shpine.
Ku djersa e gjaku si përrenjtë janë bashkuar.
Ti mundesh të prekësh stërkala kristalore mirësie
Në Malin e Dallgës ke shpresën si degë të gjethuar.
 
Ti mundesh, mikja ime!
Të fitosh betejën e kohës me gjëmime!
 
2. Mos u bëj memece o botë, për nënat e dhunuara!
 
Jo, nuk dua të bëhem si belban a memec.
Për gratë fisnike që jetojnë me dhimbje.
Në supet e tyre dua të bjerë veç rrezja  e dielltë
Në hapat e tyre të ketë vetëm lule lëndine.
 
Se ato nuk kanë lindur për të kaluar ditën me lotë.
Nuk kanë lindur të gjakosin duar e shpirt.
Në sytë e tyre shohim dritën më të fortë
Në duart e tyre është jeta e një foshnje që lind.
 
Dua të marr në duar një shportë me lule zambaku.
T’ua dhuroj secilës me respekt e mirënjohje.
Malkuar qofshin ata që ua mbjellin dhimbjen te pragu!
E them mallkimin me gjithë gjuhët e një bote.
 
Mbi trupat e bekuar nuk dua kurrë të ketë dhunë.
S’dua tëdëgjoj nga ato gjokse eho dhe klithma.
Te ëndrra e tyre  nuk dua shi, borë dhe furtunë.
Po dua të rilindë e të rritet e bukur dashuria.
 
Krah milionerëve të pangopur shoh uri, varfëri.
Po ç’kuptim do të kishte jeta pa atë buzëqeshje?
Nuk dua të derdhet asnjë lot dhune në qerpikë.
Për dinjitetin e krenarinë e tyre s’dua të ketë heshtje
  
3. E vranë Arlindën!
 
Atë e vranë…
Një ditë më pas e vunë heshturazi në një arkivol.
Sytë tanë u mbushën me pikëlat e lotit të drithëruar
Më vonë nxituam në udhë,në shitore a në një shkollë
Ajo mbeti aty, e vetme, nën dheun e shkrifëtuar
 
Atë e vranë
Pas mbeti fëmija që I mungon një përkëdhelje, një fjalë.
Pas mbeti shtëpia ku dëgjojmë klithmën e heshtur
Të gjithë të gjithë atë ditë u goditëm nga pak.
Të gjithë para gjyqit të shenjtë  të vetvetes kemi mbetur.
 
Atë e vranë
E ç’rëndësi ka se u vra me krisma, me litar  a me sëpatë
Ç’rëndësi kanë çekiçët që  do kërcasin nesër në tryezë
Mbi të ra terri vrastar e i përjetshëm I natës
E tek ne mbeti brenga se nuk e fituam atë betejë.
 
Do shkojmë shpesh hapngadaltë te ai varr mbushur me lule.
Nuk e di se ç’do themi në lutjen me buzëdridhur qiellore?
Atë e vranë…
Na ka mbetur që atë ditë një mal me gurë në supe
Dhe frymëmarrja e fjalës na ka ikur si korbat në gjokse.
 
Përgatiti për botim Angela Kosta