AH, Ç'VERË, ÇFARË MJALTI
Ah, ç'verë, çfarë mjalti, çfarë zjarri mban buza,
magjiplatuar në çudi si uji i përjetësisë!
Ç'pranverë, çfarë arti e flake ka puthja,
hyjnigatuar mes nurit të dashurisë!
Si lulet që mbushin livadhet plot ngjyra,
e desha puthjen si shirat, me përdëllim.
Sa ura ndërthurri mbi zemra të dlira,
i desha hyjnitë e dëshirat gjer në amshim.
Fillestarë në ndjenja, plot drithma, afshngjizur,
ëmbëlsi prej nektari, kredhur në fantazi,
sa bujare në ledha, në pasthirrma të vithisura,
kureshtje lozonjare, dehur në dashuri.
Sa rrymë, ç'tensione të ngarkuara te buza,
puqja e buzëve si shkarkim elektrik,
një grimë neutronesh, flakëruar si prush,
një puthje në gushë, ngacmim erotik.
Ah, puthmë pa t'u lutur, buzëthithitur,
një damkë maviskuqur ma sajo!
Mes rrugëve, si i çmendur, them zëngritur:
Dhuratën mbi buzë ma la ajo.
TË NGJIS ËNDRRËN
Në kulmin e zhegut, mes dimrit acar,
në stolin e vjetër, në një skutë të parkut,
shpesh një i pastrehë, një djalë beqar,
shtrihet sikur shtëpinë me vete ka mbartur.
Herë me këmbët të mbledhura,
herë të shtrira drejt,
qiellin kundron me dorën e mbajtur mbi zemër.
Për stolin e lirë mirënjohje ai shpreh,
herë pas here ngre çorapet e grisura në thembër.
Kur shtrihet si zog, e zë gjumi shumë shpejt,
sheh ëndrra banketesh, në shoqërinë e një vajze.
Çuditshëm shijon një jetë përrallore,
në mjedise hyjnore, mbushur me trillime parajse.
Një mizë e pickon,
ai humbet ëndrrën i lemerisur,
përreth tij mbretëron trishtimi i zakonshëm.
Miza trazovaçe ka ikur, s'ka si ta vrasë,
kthehet në anën tjetër, mbase ëndrrën e cunguar
e ngjit sërish, si në një film.
Përgatiti për botim Angela Kosta