Mohamed Ellaghafi – poezi (Përktheu: Angela Kosta)

Mohamed Ellaghafi – poezi (Përktheu: Angela Kosta)
MOHAMED ELLAGHAFI
Mohamed Ellaghafi është poet, shkrimtar dhe botues maroken, lindur në Casablanca. Themelues dhe President aktual i Universitetit maroken të Shkrimtarëve si dhe themeluesi i Çmimit Kombëtar të Poezisë në Marok, Mohamed ka botuar më shumë se pesëmbëdhjetë libra, duke filluar nga poezia e deri tek tregimet e shkurtra. Pjesëmarrës në konferenca të rëndësishme kombëtare të poezisë arabe, ai konsiderohet si një nga pionierët e poezisë moderne në Marok me fillimet e tij që datojnë nga fillimi i viteve '80 si themeluesi i Lëvizjes Poetike (5 Ndiesitë), lëvizje artistike e cila doli në përputhje me rrjedhën e modernizimit.
Aktualisht, Mohamed boton në revistën Katari Doha, gazetën londineze Al-Zaman dhe revistën egjiptiane Al-Ahram. Përveç kësaj, Mohamed është vlerësuar nga Ministria e Kulturës marokene në vitin 2019, në Bejrut dhe Kajro në vitin 2014 ashtu sikurse edhe nga disa shoqata prestigjioze si në nivelin kombëtar po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë, duke përfshirë ato në: anglisht, frëngjisht, persisht, gjermanisht, shqip dhe italisht.
 
QËNDRO NË PAQE 
 
Qëndro në paqe!
Kjo luftë
nisur nga i egri masakrues
nuk është aspak e jona.
 
Le të rezistojmë,
dashuri për botën duke krijuar.
Ndoshta jetën 
mes kufomave do ta zotërojmë.
Mblidhi me mua
vajtimet e nënave të pikëlluara,
britmat e të rinjve
dhe ngrihu,
që të mund të përkujdesemi
për muret e përgjakur.
 
Qielli që pamë
duke rënë
ndoshta,
gati për një ngjitje të papritur ish.
 
Ne kemi
më shumë se një arsye
të jetojmë pa strehë,
të thithim
ngjyrat e zeza të rrënojave të përzhitura.
 
Njëri - tjetrit
letra mallëngjimi i shkruajmë
 ti mua dhe unë ty…
 
Askush nuk na pret.
Ja pse
kjo luftë që dashurinë tonë turbullon
nuk na përket.
 
(Përktheu: Angela Kosta)