ANGJELINA XHARA PAPALILO
Angjelina Xhara Papalilo është një nga figurat e spikatura të artit dhe kulturës shqiptare. Është ndër folëset e para të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), si dhe skenariste, regjisore dhe poete.
Me zërin e saj, Radio Athina nisi të fliste shqip, duke kontribuar në përhapjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare përtej kufijve.
Është autore e pesë librave dhe e më shumë se 60 filmave dokumentarë, të cilët janë vlerësuar me çmime të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhjetë prej filmave të saj janë realizuar dhe promovuar jashtë vendit, nga Europa në Australi e deri në Amerikë.
Prej 20 vitesh mban titullin Ambasadore e Paqes Universale, duke e lidhur veprimtarinë e saj artistike me promovimin e paqes, kulturës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në vitin e 77-vjetorit të lindjes, Angjelina Xhara Papalilo u nderua nga Lidhja Panshqiptare e Krijuesve dhe Historianëve në Zvicër, si dhe nga Lidhja e Shoqatës Panshqiptare “Vëllezërit Frashëri” në Përmet.
Në Siçili, u vlerësua si autore kryesore për filmin “Skënderbeu i pagjumë”. Ndërkohë, si një dëshmi e lidhjes së saj të veçantë me komunitetin arbëresh, ajo ka dhuruar filmin e saj “Toccare un sogno”, kushtuar komunitetit Piana degli Albanesi.
Me një veprimtari të gjerë në letërsi, kinematografi, radio dhe televizion, Angjelina Xhara Papalilo mbetet një zë i rëndësishëm i kulturës shqiptare dhe një figurë që ka përcjellë artin shqiptar përtej kufijve.

KUR SHPIRTI HESHT!
Kur shpirti hesht,
lëreni në qetësinë e vet,
mos i prekni telat,
se do t’ju dhembë keq!
Kur shpirti hesht,
ka një arsye sublime,
që nuk varet nga ty,
por nga ngjarje plot trazime...
Kur shpirti hesht,
ai ngrihet lart në qiell
dhe pret vendimin e Zotit
në një hapësirë plot diell...
KËSHILLË SIME BIJË
Mos më lëndo, bijë,
prit të bëhesh nënë
dhe do të më kujtosh
një natë me hënë!
Ashtu si qielli
do yjet shtrënguar,
ashtu dhe nëna
do fëmijët e përmalluar...
Dashuria e nënës, e pakufishme,
është shpëtim
në këtë botë të egër,
mes vetëtimash të mprehta, përbri...
ME KARROCËN NË MËRGIM
Me karrocën e ngarkuar në pazar,
diku, mes njerëzve në Atikë,
një i ëmbël vështrim m’u shfaq,
si dy sy nëne në kërkim...
Papritur, përballë njëra-tjetrës,
ngurosem në përgim...
Nuk folëm asnjë fjalë.
Vetëm patëm mallëngjim!
Ajo kujtoi bijën e saj,
që i mungonte...
Ndërsa unë ndjeva nënën time,
që nga larg më kërkonte!
SHTËPIA DO NJERËZ...
Bij e bija,
shtëpia ka shpirt, a e dini?
Ajo lind, rritet e vdes si njeri.
Mos e rëndoni çatinë!
Tek dritaret, nga dielli,
varni shpresat tuaja...
Tek porta, hapat e vogëlushëve,
pranë vatrës, pëshpëritjet
e gjyshërve dhe stërgjyshërve...
Shtëpia pa njerëz vdes,
si njeriu pa njeri!
AJO DHE DIELLI
Silueta e saj e bronztë,
nga rrezet e diellit latuar,
e prekur nga valët e detit,
si perëndim i vagëlluar.
Dielli djeg e përvëlon,
e vasha nuk ka pranë
atë që dashuron.
(Poezi nga vëllimi poetik: VESË MËNGJESI)
Redaktoi: Angela Kosta