Portret krijuesish – Avdi Gashi ideator e themeltar i FFM “Zani i Kombit”

Portret krijuesish – Avdi Gashi ideator e themeltar i FFM “Zani i Kombit”
NJË PËRMBLEDHJE E SHKURTËR E AKTIVITETEVE KULTURORE, ARTISTIKE DHE ORGANIZATIVE TË AKTIVISTIT E THEMELTARIT TË FESTIVALIT FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “ZANI I KOMBIT” Z. AVDI GASHI
 
Avdi Gashi, i lindur në Komoran, i rritur e i brumosur në frymën atdhetare, prej shumë vitesh është i  përkushtuar në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e kulturës, traditës dhe folklorit shqiptar. Si ideatorë, organizatorë dhe bashkëpunëtorë në aktivitete të shumta kulturore, ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në fushën e kulturës shqiptare përmes artit dhe vlerave kombëtare. Ai me ekipin e tij ideoi, themeloi dhe udhëhoqi Shoqërinë Kulturore Artistike “KOMORANI”, ku morën pjesë në shumë manifestime kulturore e festivale kombëtare, duke treguar e arritur vlera kulturore.

 
Një nga angazhimet e tij më të rëndësishme është organizimi i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar "ZANI I KOMBIT" në Komoran, i cili në vitin 2026 do të zhvillojë edicionin jubilar të X-të, më 11, 12 dhe 13 shtator 2026. Ky festival, tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore, në Republikën e Kosovës, ku marrin pjesë ansamble dhe shoqëri artistike e grupe rapsodike nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata, duke promovuar këngën, vallen, kostumet kombëtare dhe trashëgiminë kulturore e shpirtërore të kombit tonë.

 
Po ashtu, Avdi Gashi është organizatorë i Festivalit të Fëmijëve "LUMI NA FEST" në Komoran, një aktivitet që synon edukimin e brezave të rinj me dashurinë për artin, kulturën dhe identitetin kombëtar. Njëkohësisht, Avdiu dhe ekipi i tij kishin nderin të jenë bashkëorganizatorë të Festivalit të Fëmijëve në Tiranë, në bashkëpunim me drejtoreshën, artisten e madhe Margarita Xhepa, duke forcuar urat e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndër aktivitetet e rëndësishme të SHKA “Komorani” ishte edhe pjesëmarrja dhe organizimi i delegacionit në Edicionin e parë të Festivalit “Kënga dhe Vallja shqipe na bashkon”, në Plavë e Guci, ku u përfaqësua me dinjitet Komoranin dhe Kosovën. Me organizim të mirë, disiplinë dhe një program cilësor artistik, prezantuam veshjet tradicionale, këngët dhe vallet shqiptare, duke lënë mbresa të veçanta dhe duke forcuar lidhjet kulturore me shqiptarët e Malit të Zi.

 
Misioni i Shoqërisë Kulturore Artistike “Komorani” me udhëheqës z. Avdi Gashi, mbetet që, përmes këtyre aktiviteteve, të ruajnë identitetin kombëtar, të promovojnë folklorin shqiptar dhe të krijojnë ura miqësie e bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë.
"Tradita është rrënja e kombit, ndërsa kultura është zëri që e bashkon atë."
Ky është vizioni udhëheqës në çdo aktivitet kulturor që organizon z Gashi me ekipin e tij, gjithnjë të palodhur e në shërbim të kulturës shqiptare.
Redaksia e Orfeut