Meti Rexhepi – Poezi & Biografi

Meti Rexhepi – Poezi & Biografi
MË E MADHËRISHMJA DHUNTI
 
S’di ku i gjeti aso amalgamash dhe iu dha shije e ngjyra
i futi mes gjakut e cipës së lëkurës
nën kafaz eshtrash që bartin lumturi e dhimbje
lëndë e butë dhjami e thurje fijesh tuli
sapo i prekë këmbë apo krah insekti i lehtë
mureve lëkurore u përçohen dridhje
 
nuk di si u lëvruan ato ngastra
prejardhjen e hapjes së hullive ndjeshmërie
ku e gjeti Ajo Enigmë e Madhe
t’i mbillte me më të çmuarat thesare
sot e mijëra vjet më parë
Enigma e Mendjes mbush hullitë me një farë
është fanarë e s’kapet në peshore
ajo sjell dritë dhe gdhend ngjyra mijëra mënyrash në shqisa
nga shtrati i asaj çelin sytë prej gjumit të letargjisë
atyre ua falë dritën, por prej nga e mori
apo diellit ia vodhi
ngjasuaka me dritën e drita e saj nuk u shoh-ka
 
fluturon si rrezja e me rreze u mbështjellka
deri në perden e Enigmës aty sharra në gozhdë i ngecka
një gojë gllabëruese e vrimës së zezë e përpika
si t’ia zëmë Dijen duke ndjekur prore Enigmën
mijëra pyetje e moçme
mijëra të sotme
mijëra përgjigje invalidë dhe miope
 
vërtet nuk e di
edhe kur u shpaluan qindra faqe
çka u diktua nga miliona fletë librash
të shkruar nga e pashkruara
fare pakëz u dëftua
nga avujt si u piksua
si u shumëzua
si u mboll e u përftua
si u sublim ua
ku u brumos e iu fal njeriut Ajo dhunti
a nuk doli nga një Alkimi
një kulm i padukshëm në kokë e mbi krye
do ta ketë secila vetë që ecën vet në tokë e det
shtëpi prej rrezesh të padukshme akëcilit i shkëlqejnë
ndonjë kabaje të çartur i fiken më shpejt
ajo farë vijon të mbillet thellë e më thellë në kokë
rritet ose mbetet xhuxhe për tokë
Ajo ua shpalon gjymtyrëve lumturinë
hap dyer të mbyllura kaheve të jetës
apo e dehur ia mbyllë derën vetvetes
ndonëse krejt paprekshëm
mëton dëfton pëson i ngre mrekullisë iluzion
atje ku s’duket e s’preket e ëndërron një fron
i lë të përhershmin mandat Zotit të rremë apo së vërtetës
 
vërtet nuk e di
nuk e di
druaj të më çmend ajo pafundësi
ku mund t’i gjendet universeve një kufi
Enigma e Përsosjes së Mendjes
me çfarë site e tëholloi këtë dhunti
ngastër e trajtës së arrës
hullitë kryq tërthore mbi një sferë gjysmë elipse
ndoshta koha lëvroi ngeshëm
ku e mori
ku e gjeti farën langore
me se e kapi
që ta kultivonte të panjohurën
të tej fluturonte e të dilte të prekte rrëshqitshëm
apo thellë mu në dukuri
qëroi zhguallin e kuptimeve pa asnjë thikë
gravitet i trupit baraspeshë e ecjes vertikale trysnive të shtjellave
thurje ç’thurje urtësish bukurish gjë sendesh të rrojtjes moderne
mëtime shpalime rrotullime përimtime sintezash
kureshtje për kapje galaktikash universesh
 
e di
Enigma e Mendjes ka mijëra sy
më të përsosurin e gjakon gjithnjë
por a do të dijë
të frenojë mendjelehtësinë
katrahurave të Apokalipsit të mos na shpijë?
 
THONOS - FRANCË, janar 2026
 
NËPËR KORUBEN E HARRESËS
                     
     1
   Harresë mos eja pa të ftuar
   të ftoja si më e bukura kujtesë
   si buzë bulborë fytyrë llambadari nate
   belin ta mbërtheja me pëllëmbë dore
   të gjitha stinët ishin ngjizur në ty
   blirit ia more erën
   veçse vrushkuj të verës t’i bulëzonin djersët
 
     2
     Mos më shtjer korubes së kallamit:
     si më lë engjëjt me lugetërit në një sofër
     jam në vazhdën e një fund - filli të mallëngjyer
     bekimi dhe mallkimi lë të frutojnë në pemën tënde
     e bëke dashurinë hapësirë të vagëlluar  
     fytyrën me vija të shthurura dhe përroska
     mbi faqe hithra të thinjur t’i vizatuaka mosha
    
    3
    Kur të ftoja nusërore
    më kushtëzoje me më të shtrenjtat kostume
    ku t’i gjeja çfarë t’i dhuroja mikes Kujtesë
    jashtë portave të panairit në Dorë Padrone dry e çelës
    ndryrë në veten tënde në çdo anames
    përballë erës diellore vegullon një fatamorganë
   
   4
   Ku e mërguake magjiken e Kujtesës
   përse më mbushke vetëm gota të mallëngjimit e të pendesës
   të lutem mos eja si shtrigë Zonjë e Harresës
   sapo shtrihem në shtrat ëndrrat s’mund t’i bësh zapt
   mos eja me të kruarën e zgjebes
   më derdhet kazani i tamblit të shkrumbuar
   prej zjarrit të fshehur  
   5
   Desha të ftoj në lumin e shterur të fëmijërisë
   tashmë dhe gurësit e bardhë kanë tretur
   bashkë me shelgjishtet vajtuese dhe hijet freskuese
   me se t’i lahej mëkati i parë i virgjërisë
  vashës cak gjahtarësh të pamëshirë për bel sy e vetulla
  e gjakuar prej secilit për ta futur nën sqetulla
 
   6      
   Eja tash t’i shpërfaqësh dhuntitë e praruara
   diellin nuk mund ta mbulosh
   e kallameve të mi të eshtrave
   edhe nën ura ua përpin rrezet reuma
   breshërimave të pa numëruara        
   zymtësi të hirta vjeshtave 
 
7
Mos eja të ma skutosh ombrellën
smirëzezë cinike duke mos i reshtur goditjet rradakes
trungut tim njëra pas tjetrës
i shkëputen gjethet verdhuake
më kot hap varre edhe për feniksët fitimtarë 
ua hedh dheun tënd të zi për dalin shkëlqimtarë
 
8
Ndjek një verbëri të pandjeshme:
shih si ripërtërihet në fushë pjellshmëria e kujtesës
ku shkelet një Liri me gjithë bukuritë e stisura
si po bëhesh hije aty ku rrezja po e shtrinte
të bardhën dritë të tundimit të gjinjve
 
9
     Nuk çelin dot lulet nën brymë të mekura 
     si të vilet mjalti prej gjembash
     prej lulesh tua të paçelura
 
 
     10
     Verbërinë ruaje për vete: shporru sysh
     bardhësive vetëm bimën e zezë po ua rritë
     assesi nën çatinë time të mos e shtjellosh mjegullinë
   
Gjilan, qershor 2026
 
DISA SHËNIME PËR SHKRIMTARIN
 
     Mehmetali REXHEPI lindi në Gjilan, më 4 korrik 1951. Shkollimin fillor dhe të mesëm, gjimnazin i kreu në Gjilan, më 1971. Studimet me ndërprerje, për shkaqe politike, i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Degën Albanologji.
     Është njëri nga veprimtarët e çiltër për çështjen kombëtare. Nga pushteti jugosllav i Jugosllavisë Federative, në vitet e shtatëdhjeta, të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta të shekullit njëzet, u burgos për shkaqe politike, u pushua nga puna dhe nga institucionet e KSA-s të Kosovës për gjatë pesëmbëdhjetë vitesh! 
     Mehmetali REXHEPI asnjëherë nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës: pajtimit të gjaqeve, veprimtarive ilegale, politike, kulturorë-artistike dhe humanitare.
     Fushë veprimtaria e tij ka shtrirje në arsim e edukim, veprimtari atdhetare e të bamirësisë. Herët iu përkushtua poezisë dhe prozës, pastaj kritikës e studimeve letrare, eseistike dhe në fushën e publicistikës.
     Mehmetali REXHEPI ka botuar disa vëllime poetike: poezi, tregime, romane, shkrime të publicistikës historike - dokumentare, kritikë dhe eseistikë.
     Poezia e parë iu publikua te “Zëri i rinisë”, më 1968; mandej botoi në revistën e vetme letrare të asaj periudhe “Jeta e re” në Prishtinë, duke vijuar në faqet e kulturës te “Rilindja”, te “Flaka e vëllazërimit” në Shkup viteve të tetëdhjetë, në “Plejada”(revistë letrare) e cila u pezullua pas daljes së shtatë numrave prej pushtetit jugosllav. “Plejada” ishte revistë letrare-artistike për letrarë të rinj që u censurua dhe u ndalua. Po ashtu, edhe poetit të këtij jetëshkrimi iu censuruan shkrimet nga politika jugosllave, për të mos u dukur deri në vitet e nëntëdhjeta.
     Pas Luftës Çlirimtare në Kosovë shkrimtari Meti REXHEPI kishte akumuluar përvojë krijuese letrare artistike, kritike - estetike dhe botoi katërmbëdhjetë vëllime me poezi, prozë, kritikë letrare, monografi historike. Vijon ende të shkruaj dhe ka dorëshkrime të pa publikuara.
Shkrimet e këtij autori u vlerësuan nga studiuesit dhe kritika letrare shqiptare, si përfaqësues i një fryme moderne dhe post moderne në letërsinë bashkëkohore shqipe.
 
Përgatiti dhe dërgoi për botim Agim Desku