Brahim Avdyli - Biografi-Poezi (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Brahim Avdyli - Biografi-Poezi (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
BRAHIM AVDYLI

 

Brahim (Ibish) Avdyli ka lindur, më 05 shtator të vitit 1960 në fshatin Morinë, komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës. Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Brahim merret paralelisht me shkrime shkencore, (ish-gazetar), sot ka edhe shkrime publicistike, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)
Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Tërbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Më pas, vazhdoi dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultate të shkëlqyera, në Gjakovë, duke udhëtuar në këmbë apo duke banuar atje. Studimet i ka filluar në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat i ndërpreu për shkaqe ekonomike e politike, kështu që u detyrua të emigrojë në Zvicër.
Disa vite më vonë, më 1979, ai u regjistrua si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer me qëllim të përmirësimit. 
Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe ku ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. 
Doktoratura nuk iu mundësua.
Në Zvicër, ka jetuar në shumë vende, si në: Tiçino, Waud, Luzern, Zürich, e tashmë në St. Gallen. Rreth viteve 1993-1998 jetoi në Wittenbach e Kronbühl, e prej vitit 1998 ka banuar në Rapperswil, pa pasur kushtet e nevojshme të lëvizë prej së njëjtës banesë.
Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative. Gjatë viteve 1990-1995, ka redaktuar dhe udhëhequr revistën mbarëshqiptare "Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike. Brahim mbeti pa mjetet e duhura dhe veçanërisht prej vitit 2005, pas fatkeqësisë së nëntë, atij iu akordua pensioni invalidor.
Veprat e tij të botuara janë:
- "Në hijen e Alpeve", poezi (Rilindja - Prishtinë, 1983)
-"Buka e kuqe", poemë (Atdheu, - Cyrih, 1990)
- "Kur zgjohet Dodona", poezi (Rilindja, Prishtinë, 1992)
- "Pasqyrë e përgjakur", poezi (Marin Barleti - Tiranë, 1994)
- "Klithje nga fundi i ferrit", poezi (Onufri - Tiranë, 1997)
- "Gjuha e dheut tim", poezi (Albin - Tiranë, 1999)
- "Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë (Jeta e Re - Prishtinë, 2000)
- "Baraspesha e humbur", poezi (Qëndresa, Gjakovë, 2003)
- "Vragët e një kohe", prozë (Faik Konica - Prishtinë, 2005)
- "Lëvozhga e vdekjes", prozë (Faik Konica, Prishtinë, 2007)
- "Stelele Veşniciei - Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova (BKSH - Rumani, Bukuresht, 2008)
- "Zogu i këngës", poezi të zgjedhura (SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009)
- "Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë (Brezi '81 - Prishtinë, 2011)
- "Qielli i paprekur", poezi (Brezi '81 - Prishtinë, 2012)
- "Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër (Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013)
- "Shtegtimi i lirisë", poezi (Faik Konica - Prishtinë, 2014)
- "Torzo e shpirtit tim - Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht (Amanda Edit Verlag - Bukuresht, 2015)
- “Arena e dhembjeve”, poezi (Botimet Meshari - Prishtinë, 2017)
- “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër shkencore, materiale e publicistike (Shtëpia Botuese “Lena Grafik” - Prishtinë, 2019)
- “Die verrückten Pferde”, poezi të përkthyera në gjermanisht nga Arbënor Dehari, të lekturuara gjermanisht nga Laura Schärmeli, botuar nga Prof. ass. Dr. Naim Kryeziu (Magic Verlag, Basel, 2019)
- “Muza e vargjeve”, poezi (Botimet Meshari - Prishtinë, 2020)
- “Le candele dell`anima”, poezi të përkthyera në gjuhën italiane (Libreria Editrice Urso, Avola - IT, 2021)
- “Aureolat e dritës”, poezi (Botimet Meshari - Prishtinë, 2021)
- “Flatrat e jetës”, tregime (Botimet Meshari - Prishtinë, 2022)
- “Nëpër telat e zemrës”, novela (SHI “JAKOVA” - Gjakovë, 2022)
- “Bota shpirtërore në krijimet e veçanta”, kritikë letrare e historike për të gjitha territoret shqipfolëse e të mërgatës europiane, vepra e parë (I), kolor, Shtëpia Botuese “Meshari" - Prishtinë, 2023)
 
Në këtë renditje, së shpejti do të shtohet edhe vepra e fundit e autorit, cila do të botohet së shpejti. Brahim ka edhe disa vepra të tjera, që janë në përpunim e sipër.
Autorit në fjalë, nuk iu dha asnjë ndihmë materiale nga ndonjë instancë e Zvicrës apo fondacione, e të tjerë, megjithëse i kishte lajmëruar se do të shkruante veprën e fundit: “Autobiografia ime, I e II”, e nuk do të kishte dëshirë të jepte këto shkresa prej shumë faqesh dhe përgjigjet negative, deri në Prohelvetia, BAK, AdS, etj., ndaj autor Avdyli hoqi dorë prej dëshprimit dhe zhgënjimit të tij, i dokumentuar prej anëtarit të AdS-it, në dhjetor të vitit 2023.
Veprat e ndryshme, të cilat janë nga fusha e letërsisë, publicistika, antologjitë shqiptare dhe ndërkombëtare, apo edhe ato që kanë brenda faqeve të veta, punimet e autorit ose paraqitjet me fotografi ndër vite, janë të shumta.
Poezia e Brahim Avdylit është e përkthyer në disa gjuhë: italisht, gjermanisht, rumanisht dhe anglisht.
Brahim Avdyli është anëtar i rregullt i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), etjer...
.
BËHEM RËRË KUR TË VDES
 
Kur të vdes, atëherë mos më lavdëroni
zgjohuni, sa të jem midis jush
më tepër t’ia dini vlerën miradisë
përpjekjet e pashkrepura të drejtësisë,
jam i pavdekshëm për të vërtetën shqipe
për lutjet e mëdha të shpresave tuaja
për ditët e vetmuara
para ortekut të shtypjes
për vitet e mbyllura të mendimeve të flakta
për vitet e vazhdueshme të ligjërimeve
për dhembjet kurdoherë të dhunës
së armiqve
pa e ndërruar asnjëherë etjen e madhe
të çlirimit
nga lubitë vrastare mbi shpirtat legjendarë,
prore mbi lulëzimet e çastit të rritës sonë
aq sa e meritonte emri ynë i shkapërderdhur
i qenies së mbajtur gjallë nën plisin e bardhë
nga goditjet e pandalura të zhdukjes
e shpopullimit...
 
Kur të mos jem, mos më lavdëroni më tutje
për ato që nuk më keni thënë gjatë frymimit
kur nuk pushon të më gufë fjala e zjarrtë
nga kazani i madh, por pikë e vogël e zemrës
që u merrte të gjithëve
me butësinë e përqafimit
edhe kur më godisnit me rebelimin e padijes,
kishit mbetur ju, të gjithë, zogj pa kloçkë
e të shkapërderdhur me kokë të humbu
nëpër fortunë
por reditja t’u pajtoj me dhembjen e vëllaut!
 
Bëhem rërë, nën këmbët e ditëve,
kur të vdes
erë e padukshme nëpër frymëmarrjet tuaja
pa ngjyrë e pa shije të rritës së shpresave
qiell e dhe nëpër frymimet e Lirisë suaj
domethënia e plisit të artë të mëkëmbjeve!
 
ATENTATET E JETËS
 
Atentatet e vdekjes
u gjasojnë ringjalljeve
nëpër provat e jo-egzistencës,
je midis dhimbjes
e dashurisë së mbijetesës
që prej fëmijërisë
e deri në moshë të përkryer!
 
Gjithnjë rrëzohesh nëpër vdekje
për të përmbyllur fjalën
e mbetur peng,
gjithnjë e ke ripërsëritur
këtë shpëtim
nga vdekja,
dhjetë prova janë pak
për të mbytur
fjalët e tua
edhe pas vdekjes
jeton në përjetësi!
 
KLITHJET NGA GOLGOTA
PRANË KALASË SË ZEZONËS
 
Përherë kam luftuar me të padukshmit
që më godasin papritur
pas kurrizit,
habitem dhe i lutem Zotit të Madh
si nuk ka mundur Satanin të ma evitojë
e qindra herë i jam falur vetëm Atij
nga jeta e këtushme,
nuk e di a janë plotësuar vuajtjet e mia
për hir të Atij që më ka krijuar
me dëshirën që të jem ngadhnjimtar
i dijes njerëzore.
 
I lutem mija herë
i përgjërohem, i përkulem dhe i besoj
me dashuri i flas
Krijuesit të Botës,
me përvuajtje i nënshtrohem
të më mbrojë
nga çdo fije e mendimeve të Liga
nga çdo forcë e padukshme e vrasjeve
nga çdo formë e ndaljes, e sabotimit
të kësaj lufte të përjetshme
buzë vdekjes,
forcat e mallkuara e të paligjshme
ringjallen përherë
jashtë syve të mi,
askujt nuk kam mundur t’i lutem
pos teje Abel.
 
Më ndihmo!
dritën e diturisë
t‘a shpërndajmë gjithandej.
 
Shpirtat e ligj
mos dalshin kurrë
prej skëterrave të ferrit!

Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese