Vjollca Aliu – Gratë në sektorin e sigurisë

Vjollca Aliu – Gratë në sektorin e sigurisë
GRATË KANË AFTËSI E MERITA AQ SA MESHKUJT NË SEKTORIN E SIGURISË
 
Në ndërtimin dhe ruajtjen e shtetit roli i policisë  është i domosdoshëm, sepse pa një shërbim policor të fuqishëm dhe profesional do të humbte jo vetëm organizata policore, por humbim edhe ne si shoqëri.
Sot, Policia e Republikës së Kosovës feston 
25-vjetorin e themelimit si organizatë e sigurisë, duke bartur mbi supet dhe imazhin e saj: sfidat, sukseset, detyrat dhe përgjegjësitë, përkushtimin për përmbushjen e misionit, si dhe llogaridhënien para mekanizmave përgjegjës dhe para gjithë shoqërisë.

Të analizosh angazhimin e grave në sektorin e sigurisë, veçanërisht në polici, nuk është aq e lehtë, meqë gratë janë faktor i papërjashtuar dhe i pamohueshëm për sigurinë në të gjitha nivelet, por duke marrë parasysh edhe faktorët të cilët kanë ndikuar në pjesëmarrjen dhe zhvillimin e grave kosovare në sektorin e sigurisë gjatë 25 vjetëve.
Republika e Kosovës është shtet demokratik, e cila policinë e sjellë në suazat moderne, dhe si shtet juridik e futë atë nën kontrollin e ligjit. Puna demokratike, shërbimi ndaj qytetarit dhe  shtetit është proces që zhvillohet nga shumë gra dhe meshkuj të inkuadruar në polici, të cilët i përgjigjen nevojave të qytetarëve dhe sistemit hierarkik mbikëqyrës-kontrollues, por jo politikanëve, që do të thotë se, policia duhet të jetë e papolitizuar dhe e pandikuar politikisht.
Konsiderohet se barazia gjinore është një gur themeltar në procesin e zhvillimit demokratik të një shteti. Duke vlerësuar parimin e mosdiskriminimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Barazi Gjinore, për të krijuar mundësi që gratê të vlerësohen dhe të gëzojnë autoritet në familje dhe shoqëri. Bazuar në këtë dhe në interesimin, në përkushtimin dhe në gatishmërinë e grave kosovare për inkuadrim në Policinë e Republikës së Kosovës, kjo organizatë është shembull dhe dëshmi se barazia gjinore nuk është vetëm retorikë, por realitet të cilin duhet avancuar edhe më tej. Sot, gratë kosovare ia kanë dal që me krenari dhe profesionalizëm të lartë në kuadër të detyrave të punës të jenë partner i barabartë me meshkujt, duke dhënë kontributin e tyre në Policinë e Republikës së Kosovës, në FSK, në Shërbimin Korrektues dhe në organizata të tjera. Pavarësisht se dikush mendon se sektori i sigurisë konsiderohet për meshkujt, interesimi i grave për kyçje në këtë sektor është evident, me rënie e rritje nëpër periudha të ndryshme gjatë 25 vjetëve, por që asnjëherë nuk u shua, falë edhe kornizës ligjore relativisht të mirë për të promovuar pjesëmarrjen e grave në jetën publike, mirëpo përparimi në zbatimin e saj ngec, jo rrall, nga mungesa e burimeve financiare për zbatimin e ligjeve.
Me qëllim të fuqizimit të rolit të gruas në Policinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e vetëdijes dhe adresimin e çështjeve që prekin gratë në kuadër të kësaj organizate, promovimin dhe ndihmën në zbatimin e barazisë dhe mosdiskriminimit në organizatë,  zhvillimin e vazhdueshëm profesional,  zhvillimin dhe pjesëmarrjen në rrjetet profesionale dhe sociale në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e mirëqenies shëndetësore dhe psikosociale të grave në organizatën policore, më 23 korrik 2013 është themeluar Shoqata e Grave e Policisë së Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, në të cilën janë përfshirë anëtarë të stafit të uniformuar dhe civil, duke mos përjashtuar edhe anëtarë meshkuj. 
Avancimi jo i kënaqshëm, i cili ndikon në shtimin ose në rritjen e të ardhurave personale, nuk i ka zbrapsur gratë police që të kryejnë misionin e tyre brenda organizatës policore, përkundër asaj se disa prej tyre janë mbajtëse të familjes. Megjithëse janë marrë hapa përmirësimi në kyçjen dhe në avancimin e grave në polici, prapëseprapë është mëse e domosdoshme rritja e numrit të grave në polici, por edhe avancimi i tyre pa dallim, duke respektuar gratë si vlerë, e mbi të gjitha parimin e rekrutimit mbi bazën e meritave.

Për të dëshmuar vlerën e secilës grua pjesëtare në Policinë e Republikës së Kosovës, sot, në këtë përvjetor, gratë brenda kësaj organizateje për qytetarët kosovar dhe gjithë opinioni japin një imazh pozitiv të grave në polici, të cilat respektojnë uniformën, ushtrojnë profesionin me ndjenjën e përgjegjësisë së njëjtë sikurse policët meshkuj. 
Atyre që ende kanë mendimin se gruaja nuk është e denjë të kontribuoj në sektorin e sigurisë dhe se ky domen u takon meshkujve, u them: edhe pas 25 vjetëve liri nga pushtuesi, kthjelleni mendjen, kujtesën, mos i harroni të gjitha ato gra, ato shqipe mali që ishin pjesë e UÇK-së, shumë prej të cilave ranë dëshmore dhe u bënë fanar i  lirisë dhe i sigurisë që e gëzojmë sot!
Mjetet e informimit: shtypi, radio, televizioni, mediet online, të gjitha kanë ndikim në informimin e opinionit, kur transmetohen, paraqiten  dhe kultivohen përmbajtje dhe emisione të cilat kanë vlera të shëndosha morale, edukative, ligjore. Përmbajtjet e tilla ndikojnë në vetëdijësimin e qytetarëve për rolin e policisë në sigurinë e shtetit, përfshirë edhe kontributin e pamohueshëm të grave në polici dhe në tërë sektorin e sigurisë, në pengimin e sjelljeve kriminale dhe për masat parandaluese në këtë drejtim, për tejkalimin dhe ballafaqimin me sukses ndaj çdo sfide që i kanoset ose e rrezikon shoqërinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.
Gjithnjë duke respektuar parimin e meritokracisë, mosdiskriminimi dhe kyçja e grave në Policinë e Republikës së Kosovës dhe në organet e tjera të sigurisë duhet të shihet si kyçje meritore, pasi gratë janë treguar të zonja dhe të gatshme të kontribuojnë edhe në sigurinë e shtetit, por fatkeqësisht disa njerëz e konsiderojnë si domen i meshkujve. Ky perceptim i gabuar tanimë le t'i mbetet së shkuarës, pasi sot niveli arsimor i grave po rritet çdo ditë e më shumë, gratë janë më pak të korruptuara në krahasim me meshkujt, po tregohen të suksesshme  dhe të shkathta, madje edhe aty ku shumë herë gjinia mashkullore nuk arrin të tejkaloj problemet dhe sfidat pa ndihmën e grave.
Duke ditur dhe duke respektuar rolin e grave në Policinë e Republikës së Kosovës; duke vlerësuar dhe çmuar rolin e të gjithë policëve pa dallim gjinie, nacionaliteti, feje,...; duke çmuar rolin e tyre për sigurinë tonë personale, të rrethit ku jetojmë dhe për shtetin e sigurtë për të gjithë ne, ashtu siç e meritojmë si popull paqedashës, urojmë: 25-vjetori i themelimit i Policisë së Republikës së Kosovës le të jetë festë, por edhe fat i mbarë dhe i suksesshëm i realizimit të të drejtave dhe të përgjegjësive të të gjithë atyre që kontribuojnë në këtë organizatë!
Suksese në funksionin dhe në përkushtimin për përmbushjen e misionit të shenjtë!
 
Përgatiti për ORFEU-n
Vjollca Aliu