LUAN SHESHI
Luan Sheshi ka lindur më 01 Qershor të vitit 1974. Ai është diplomuar në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan. Luani është autor i dy vëllimeve me poezi:
"Kufijtë e heshtjes" dhe "Më lini të gaboj".
Krahas këtyre dy vëllimeve, së shpejti pritet të botohet edhe vëllimi i tretë i tij poetik.
SHIU QAN ME LOT FËMIJE
Shiu qan me lot fëmije,
pik-pik-pik ëmbël tek bie,
flluska malli ngre përpjetë
sikur vjen nga tjetër Jetë...
Nëpër pellgje pllaquritet,
tutje t'huve hidhet, pritet,
avuj xhamash bulë shuar,
vrragë valësh i mërguar...
Mes përrejsh etje shuar,
lumë kujtimesh turbulluar,
kolotundur breg më breg,
deltash lodhur si zheleg...
Shiu qan me lot fëmije,
rreng sinoresh brishtësie,
pik-pik-pik litarë këputur,
her i mekur, her i ngutur...
MUZGU MORI EMRIN TËND
Muzgu mori emrin tënd,
tek çapitej nëpër valë,
heshtja thellë zuri vend,
bregu s'foli asnjë fjalë...
Vesa lotët ç'ti përzhiti,
bulëzuar prej qerpiku,
mall i shuar krye ngriti,
territ pritja s'di ku iku...
Retë mërzitura një oaz,
qetë-qetë vjollcëruar,
drita lodhjes buzagaz,
mbi syprinë mugëtuar...
Muzgu mori emrin tënd,
udhë-ikjes me përtesë,
heshtja thellë zuri vend,
dita rendur në harresë...
TJETRIN ÇAST MË KOT PRITA
Tjetrin çast më kot prita,
zhytur thellë në mendime,
kur do të qe kurrë s'e dita,
gjys e grinjtë kjo Bota ime...
Rreth e qark akrepat vijnë,
zën në çark orës në mur,
veç një gjë fare nuk dijnë,
s'janë të rinj më si dikur...
Qetë-qetë trishtimi qaset,
mes vesimesh melankolie,
në harresë pas përplaset,
heshtjes rënë i ëmbël bie...
Tjetrin çast më kot prita,
mbi karrige ashtu mbetur,
kur do të qe kurrë s'e dita,
koha mallin s'e kish tretur...
...............................................................
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese