Vjollca Aliu - Poezi

Vjollca Aliu - Poezi
VËSHTRIM PANORAMIK
 
Era i fërfërin anijes velat
Shkumëzon deti i valëzuar
Në breg të detit dy pëllumba
Një peizazh i pikturuar.
 
Ngre shikimin mbi kala
Ku çdo gur ka një kuptim
Sa madhështore atje lart
Duket Kalaja në Ulqin.
 
Korzoja e ngushtë e Plazhit të Vogël
Si zgjoi i bletës gumëzhin 
Panairi i librit rrëzë bregdetit 
Ia shton vlerën e bukurinë.
 
N'Plazh të Madh kur hedh shikimin
Pasditeve kur merr furtuna
Aroma e detit të shijon
Bashkë me bukurinë që ka Buna.
 
Nga duart e vockëla njomake 
Buzë detit skulptura me rërë punuar
Të përqafuar mbi valë notojnë
Dy engjëj të dashuruar.
 
E kur dallgët trazojnë detin
Marrin dhe njerëz bashkë me valë
Si shqiponja mbi det vërsulet
Miku im shpëtimtar.
 
Një peshkatar me shkop peshkimi
Sodit detin, duke lëvizur
Valët e detit lozin vallen
Si n'pëlhurë t'ishin qëndisur.
 
Fusha të tëra ullishte
Tokat mbjellur me agrume
Peshqit ngjala e krapi
Pasuri e tokës së bekueme.
 
Kur piktori ngjyrat përzien
Bardh e kaltër më shumë derdh
S'ka më bukur e më mahnitëse
Si panoramë Ulqini del.
 
Ag e terr, kahdo të shëtitësh
Ku flitet shqip gjen bujari
Madhështia e trojeve shqiptare
Ulqin, për ne je krenari.