Poeti Hiram Larew (Shqipëroi Irma Kurti)
HIRAM LAREW jeton në Maryland, SHBA. Poezitë e tij kanë marrë Çmimin e Letërsisë në Luiziana, Shiritin blu për Washington review poetry dhe janë nominuar katër herë për çmimin Pushcart. Krijimet e tij janë botuar gjithashtu në numrat e fundit të revistave Poetry South, The Brown Critique, Contemporary American Voices, Honest Ulsterman, Amsterdam Quarterly dhe Best Poetry Online. Ai ka marrë fonde si poet nga Këshilli i Arteve si dhe nga Kombet e Bashkuara për iniciativën e tij Poetry X Hunger, (Poezia kundër urisë) e cila inkurajon poetët të kontribuojnë në përpjekjet kombëtare dhe botërore kundër urisë. Ka krijuar gjithashtu Voices of Woodlawn, (Zërat e Woodlawn) një program me poezi, muzikë dhe art që hulumton historinë tragjike të skllavërisë në Amerikë. Hiram Larew bashkëpunon me Radion Klasike në Baltimore (91.5 FM) për të identifikuar poetë që prezantohen në programet e transmetuara gjerësisht prej saj. Dr. Larew është profesor i lirë në pesë universitete të SHBA-së. Stili i poezive të tij është padyshim familjar, por jo vulgar dhe ato tregojnë përvojën e gjerë të jetës së poetit.
I LAGUR
Fama duhet të jetë sikur të ngasësh makinën
në shi
ose si të pulitësh sytë --
duke u përpjekur të shohësh
çfarë ke përpara në errësirë
të flasësh me zë të lartë
pa askënd tjetër perreth.
Ose ndoshta të jesh i njohur në fakt do të thotë
këmishat e lagura më në fund t’i ndiesh si normale.
Apo nëse papritur të vijnë të dridhurat
nga të gjithë titujt e gazetave
atëherë ato drithma do t'ju bëjnë
të thoni thjesht Mirë faleminderit.
Të thuash të vërtetën, brohoritjet mund të jenë
si përrenjtë që vërshojnë në tokën tënde të ulët
dhe pemët dhe qentë veçse qeshin
teksa ndodhen në një vend të thatë, lart
ndërsa ti lundron pranë tyre
duke i përshëndetur.
Po, popullariteti duhet të jetë si era e bodrumit --
e veçantë dhe që kurrë nuk resht, jo --
shumë kohë pasi gjyshja ka dorëzuar letrën e saj
përgjithmonë.
GËZIMET E MËDHA
Ka shumë pak vende në botë
ku pemët harkohen mbi rrugë.
Akoma më pak ato që prehen
në dritën e purpurt të vjeshtës.
Dhe akoma më pak janë ato
Që mblidhen rreth teje
Si hyrje sekrete
Apo bizhuteritë në magazinë.
Po,
të rralla janë gëzimet e mëdha
që zërat brenda vetes i humbasin.
Përktheu nga anglishtja: IRMA KURTI