Cikël poetik nga Arsinoi Zengo
NGJYRA TË ERRËTA JETE
Botë tepër e frikshme
Botë me halle e stuhishme
Njerëz kokë ulur të hutuar
Vatra pa bukë shpirtra trazuar
Nata troket ngadalë gjumin thërret
Dy thela të thara një thikë i pret
Fëmija mban barkun zë e thërret:
Nënë e dashur pak bukëz më jep!
Jetimit të mjerë që babën se ka
I duhet të rritet se askund nuk ka zë
Sëpatën rrëmben ca drurë të thatë
As shkollë as dije
Ah botë e ngratë
Flisni bërtisni të varfëritë mos i braktisni!
Ku shkoi njerëzia dhe dashuria?
Ju pushtetarë dhe pronarë
Jepuni atyre që braktisjen kanë marrë!
Në botën e dytë çfarë do të rrëfeni
Shpirtin tuaj nuk do e mbajë as ferri
Ndaj vraponi sa keni kohë
Jepuni dhe atyre që nuk kanë gojë!
Dua dhe unë të mësoj
Si shokët e mi të kërkoj
Një vatër të ngrohtë ku të lexoj
Ngaherë t'ju falënderoj!
NËNAVE
(Dedikuar atyre Nënave që sot nuk janë pranë)
E ndërsa malli më treti
errësirën sjell nga larg
në termin e dhimbjes
Ulërij qaj si i marr'
Qiell i trazuar shpirt i rrënuar
Folezë harruar vallë ku ke shkuar?
Këmbanat kumbojnë në zemër përçojnë'
si do mundem vallë të duroj?
Zambaku i bardhë në kokë të rri
Eh sa bukur më dukesh ti
E paqtë e qeshur si Perëndi
E shtrenjta ime dashuri...
Çohem me mendjen se do të takoj
Sapo zbres shkallët derën mbyllur shikoj
bota më erret këmbët s'më mbajnë
kurorën mbretërore për ty Nënë e kam!
LULE SHQERRKA
Do harroj një ditë
Mes lotësh e pikëlluar
Buzëqeshjen do ta ngrys
Mallin do ta shuaj
Lule shqerrën do nuhas
Poshtë ndër lëndinë
Erën do t'ia marr
Edhe pse ajo më rri e mpirë.
Ç'të bëra që kokën vare
Meraku të paska venitur
Lotët që lagnin petalin
Mua më paskan ikur
Tashmë nuk do të këpus
As lojën nuk e luaj
Më do a s'më do
Ish një iluzion për mua
Lulka ime bukur mos më mbaj mëri
Kur të vij çdo ditë më bëj shoqëri
Nëse ndonjë lotkë e sheh që pikon
Bëhu si një flutur
vrapo më përqafo!
Do harroj një ditë...
ndoshta do harroj...
FISHKËLLIMAT E KOHËS
Ndër vite jam rritur shumë
Kohën kam dashur ta ndal
Ëmbëlsinë e viteve të risjell
Portat e zemrës t'i çel!
Belbëzimet e fëmijës që thërret
Të qarat e nënës kur e pret
E më pas babën me ballin rrudhash
E djersët si ujëvarat e rrëke ujërash.
Gjyshen e kërrusur gjer në gju
Shkarpat ngarkuar pak këtu e pak atje
Gjyshi bastunin mban në dorë
"Çupa e gjyshit nxito se u bë vonë"!
Akrepat vërtiten me shpejtësi
Sot mam' e bab' kanë ik në mërgim
E gjyshi që më thoshte të nxitoja
Iku s’u kthye se ashtu donte koha!
E rritur jam unë ndër vite
Fëmijët ngadalë shikoj të rriten
Portën e hekurt që rrinte e hapur
Sot e ndryshkur e bastunin që rri varur...
ME ËNDJE TË KUJTOJ TY RINI
Rinia shkoi me pranverën
Shpirtrat shtegtuan
Malli për të bukurën thërret
Vajza u bë grua
Më zgjat dorën moj rini
Qeshu bashkë me mua!
Ç'më shkon anash fshehurazi
Harrove që isha e preferuar!
Më vije atëherë, flokët m'i zbukuroje
Merrje fustanin me lule
Mbi shtat sa bukur ma këndoje
Lëkurën e njomë ledhatoje!
Ah moj e bukura rini
E di si të kujtoj?
Me kitarën mbi prehër telat i shkumoj
Vargjet e poetit do të këndoj!
Thonë që rinia është në shpirt
Dhe unë këtë besoj
Po nuk këndove për dashuri
Kurrë rininë nuk e jeton!
Rini e bukura rini...
NJË SI TY
Ajo u shtri në dysheme
Derdhi vithet me mëngë
Disa fjalë më tregoi:
E di ti çfarë pres këtu?
Dy duar, dy buzë, një trup si ky
Me pëllëmbë të më prekësh
Ethe trupit të m'i sjellësh
Të fillosh nga maja flokut
E të shkosh mes gjoksit t'bukur
Mbasandaj me përkëdheli
Shpërfytyromë ashtu si di vetëm ti!
Rrokullisur dalëngadalë
Ti mbi mua e unë si ngjalë
Djersitur shkalafitur
Më zu gjumi e kapitur!
Kur u ngrita ç'të shikoja
Sytë e tu si dy mburoja
Buzët bashkuar më kërkonin
Herë hapeshin e herë kafshonin!
Më së fundmi nuk durova
Ngrita kryet të shtrëngova
Me ca fjalë e me shumë gjeste
Dashuria ime e çmendur në heshtje!
DO PI DO DEHEM
Një natë verë për ty do pi
Do dehem, do prekem
Eshtrat do i shkrij
Në shpatullat furtunë si veri
Zjarrllëku më kapi i mjeri ti
U piva u ngjesha as vetë nuk di si
Sy bukuri zeshkani i etur në dashni
Rrëmbemë dhe çomë aty ku di ti!
Përzierje aromash unë dhe ti
Këmisha e zezë sa bukur të rri
Tantella mbi gju trurin ta mpin
Kaçurrelja biondinë pa ty jo nuk rri!
Një natë verë piva për ty
Dashuri dhe pathos kishim në sy
Të prekja të puthja si kurrë më parë
thërrisje: Të dua e imja Nejadë!
Tani...
Unë jo nuk e harroj
Një shishe të kuqe çdo natë do shijoj
dhe dehjen e ëmbël me ty rrezikoj
me dehjen dashnin' do e provoj
Zeshkani Biondina dashurojnë.
DIKUR MË KRAHASOJE...
Yjet m'i pate zbritur dikur
E me hënën më krahasoje
Dritaret hapur mbaja natën
Në agim vije më zgjoje!
Më thoje do t'bëj mbretëreshë
E unë mbretërinë kërkoja
Vëndin më të dashur si gjithmonë
Pranë gjoksit tënd preferoja!
E ku ka më bukur se mbretëria e shpirtit
Kurora, diamante e shërbëtorë
Ka aty ku në zemra ekziston interesi
E unë ty të dashuroja për yjet e universit!
Të quaja Zeusin tim me flakë dashurie
Eja e përvëlo këtë qenie bukurie
Në Olimpin e shenjtë më merr e më ço
Aty ku Perënditë dashurinë adhurojnë!
Unë e bukura e shpirtit tënd
Kështu më thoje nëse e mban mënd
Do doje të isha muza e çdo nate
Si perëndeshë në prehër të më mbaje!
Nuk ka si ty
E s'di a do të ketë
Femër e lartë
Të paça përjetë!