Cikël Poetik nga Ismet Miftari - Kumanovë

Cikël Poetik nga Ismet Miftari - Kumanovë
ISMET MIFTARI
 
Ismet Miftari ka lindur me 09 prill 1960 në Vakcincë, (Kumanovë). Ismet është Pedagog në SHFK "Rilindja". Herë pas here merret me krijimtari të poezive dhe tregimve.
 
LOT I FSHEHUR 
 
Sa e sa herë e kam fshehur në errësirë
Dhe në mëngjes e kam përzier me vesë
Dhe në mjegull
E sa e sa herë e kam përzier me shi
Dhe në dimra me dëborë
Dhe në fatamorganë me djersë
Nëpër luginën e lotëve
Që ka pikuar nga drithërimë shpirti
Duke ëndërruar horizonte të bardha
Një agim të ri…
 
SHIU I VENDLINDJES
 
Përzier bashke me lotin
Pikëllim dhe vetmi
Dhe me hapa të rënduar
Ngjitem kujtimeve të fëmijërisë
Vetëm dallëndyshet
Korbat e zi
Thëllëza
Zëra qyqesh të vetmuara
Më shoqërojnë
Bilbili më jep shpresë
Me këngën e tij nëpër shkurre 
Më kot mundohem por nuk e shoh
Nuk dëgjohen si dikur zhurma kalamajsh
E zile bagëtish
Në derën time nuk trokasin miq si dikur…
Shiu vazhdon të bjerë përzier me lot
Mall për një kohë të shkuar…
 
BARRË DHE PIKËLLIM 
 
Ndër vite e stinë
Me gurë mbi supe
Dhe me zemër të thyer
Nga thellësitë e pikëllimit 
Ngjitur jam në majë pirgu
Gjymtyrët më janë lodhur 
Dhe qafa duke mbajtur kokën lart
Duke u sjellur vërdallë
E me shikimin në horizont 
Duke numëruar yjet
Dhe hënën duke soditur
Sikur bota është lodhur
E në tokë më nuk ka njeri 
Që të zgjon e të jep fuqi
Vetëm një dritë
Vetëm një shkëndijë
Nga psherëtima lutjeje
Bota do të vallëzojë
Në koncertin e lirisë
Vallen e vëllazërisë…
 
FESTO...
 
Ndër shekuj
Për ne ishin të ndaluara
Festat, gëzimet
Nuk guxonim të përmendnim
Data, emra, libra, flamur
Dhe bota dehej në festa pranë
Ne spektatorë ndër shekuj
Në mejtime pritjeje të një dite…
Qëndruam me festat në gji 
Tani mos u ndal 
Festo!

Redaktoi: Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese