Vjollca Aliu (cikël poetik)

Vjollca Aliu (cikël poetik)
Vjollca Aliu 
 
HIJE
 
Mbi shkëmb ulur, nën kala
Po sodisja të bukurin det
Zëri yt në vesh më erdhi
Jemi bashkë, m'the, nuk je vet!

Në atë çast u bëra bjeshkë
Me sy pishe qiellin vështrova
Rreze shkëndijash në zemër më ranë
Hijen tënde përqafova.

Gjithë çka kishte rreth kalasë
Një furtunë ato i ngriu
Në zemrën time, si në oazë
Mrekullisht një lule mbiu.
 
KËRKOJ

As mëngjeset s'dua t'i shoh me sy
Kur pranë s'të kam ty!
Sa pa erë janë lulet
Të athta janë frutat
Kopshti nuk ka më njomësi
Iku ajo gjallëri.
Zemra pa ndalë kërkon
Në bankat e shkollës
Mos aty ke mbetë
Nē tokën e thatë
Mes luleve të venitura
Ike shpejt, je tretë.
Mes shkronjave e numrave
Ke humbur
Bilancin pozitiv
Nuk e nxjerre dot
Ecejaket, hamendësimet
Të gjitha të shkuan kot.

MË PRIT

Në këtë natë të freskët
Edhe nëse hëna refuzon të del
Shpirti yt ma ndriçon rrugën
Unê do të vij nëpër terr.

Terri aspak s'më pengon
Se dritën e shpirtit tënd busullë kam
Era e lehtë sikur më shtynë
E si dy elemente kimike na bashkon.
 
DETI NË BETEJË

Edhe kur trazohesh
I bukur je, o det
Sikur zhvillon luftë
Dhe të keqen vret.

Valët i shndërron në ushtarë
Ndërsa, shkumën e valëve
E bën sapun të bardhë
Të këqijat e jetës për t'i larë.

Edhe kur betejën tënde ashpërson
I bukur dukesh me atë kaltërsi
Dallgët e tua i ngjajnë jetës së njeriut
Që mes uraganësh jete shpreh mirësi.