Valbona Gega Gjoni, poezi

Valbona Gega Gjoni, poezi
VALBONA GEGA GJONI - KURBIN
 
Valbona Gega Gjoni ka lindur dhe është rritur në qytetin e Laçit, në rrethin e Kurbinit. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Shkodrës, ku u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi në vitin 2000.
Po atë vit debutoi si poete me vëllimin e saj të parë poetik Kam nevojë për ty, një libër kushtuar kujtimit të nënës së saj të shtrenjtë e cila prej vitesh nuk jeton më.
Pas diplomimit punoi për katër vjet si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në arsimin nëntëvjeçar në Shqipëri, duke ushtruar me përkushtim profesionin e saj.
Që nga viti 2004 jeton në Udine, Itali, së bashku me familjen. Edhe pse larg vendlindjes, Valbona ruan një lidhje të fortë me rrënjët e saj, të cilat përbëjnë një burim të vazhdueshëm frymëzimi për krijimtarinë letrare.
Në maj të vitit 2024 botoi vëllimin e saj të dytë poetik në gjuhën italiane, La forza del mio cuore, nga shtëpia botuese Chiandetti Editore, kushtuar vajzës së saj të dashur, Stela.
 
ME ATË GJUHË TË SHPIRTIT!
 
Me atë gjuhë të shpirtit, 
të atij shpirti me ujë të kulluar 
shuaja etjen vetes, 
dhe dritë, ti thirri të nesërmes! 
 
Me atë gjuhë të shpirtit, 
të atij shpirti të trazuar 
ti buzëqeshi deri “në mërzi” vetes,
dhe sytrime prezantohu jetës! 
 
NJË FJALË
 
Një fjalë e dalë
nga një trung i thatë, 
seç morì rrugë 
pa e ditur për ku.
 
Një fjalë e marrë 
si dallgë e vrazhdë, 
preku diku e u ndal aty
porsi përbindësh pa sy.
 
Një fjalë si egërsirë 
tamam dem me brirë, 
u vërsul me vra
por mbeti pa krahë.
 
HËNË MOJ E BUKURA HËNË 
 
Hënë moj e bukura hënë, 
pse po rri në vetmi si ai fëmija i vogël 
që sapo është grindur me shokët e tij?!...
E di, 
 
zemrën ta kemi thyer jo njëherë, 
 
por disa herë, 
se nuk ditëm ne, me u bë të rritur 
“akoma kemi mbetur fëmijë”.
Hënë, 
moj nuse që shkëlqen me ata sytë e tu të zinj
dhe krejt vendin e bën dritë, 
o sa shumë ne të kemi mërzitur! 
Hënë, moj e mira hënë 
fustanin tënd të kaltër ta kemi "gris"
me forcë ta kemi tërhequr, 
 
sikur ta kishe bërë pis,
për me na i bë ëndrrat tona realitet 
shpejt e shpejt, siç duam ne vetë.
Hënë, moj e dashura hënë 
që na shikon e na mbron si një nënë, 
falna ne, bijtë e tu
dhe në kraharorin tënd prapë na ruaj!
 
(Përgatiti: Angela Kosta)