Sabit Jaha - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Sabit Jaha - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
Di(sa) nga (ri)kujtimet e mia
 
TRENI I TMERRIT DHE BURBUJA E BLLACËS
 
Sabit Jaha
 
(Çaste të përjetuara dhe të rikujtuara të periudhës 24 marsqershor 1999: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Stagovë, Kaçanik, Hani i Elezit, Bllacë, Shkup,... Korçë, Pogradec, Voskopojë,..)
 
Fill pas intervenimit të NATO-s, më 24 mars 1999, mbi caqet serbe, pushtuesit me të gjitha strukturat e tyre kudo në Kosovë edhe më shumë i intensifikuan veprimet më barbare ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, pa zgjedhur as mjete dhe as forma, në shenjë të revoltës që e gjithë bota e civilizuar po përkrahte përpjekjet tona të pareshtura, që edhe ne (shqiptarët e Kosovës) të udhëhequr nga UÇK-ja, po i dilnim zot vatrave tona të pushtuara, sidomos pas vitit
1912 e këtej.
… Nga dita më ditë, që nga 24 marsi e këtej pushtetarët serbë po i shfrytëzonin pothuajse të gjitha mundësitë (format dhe mjetet e tyre barbare) që të arrinin edhe atë minimumin e parashikimeve bizare. Dhe, një nga ato forma a mënyra frontale ishte edhe dëbimi i masës, popullatës shqiptare që ishte si në gojë të ujkut, meqë ata po përjetonin çaste nga më mizoret, ku shihnin se si po i zënte terri ndërsa nuk dinin se si do t'i gjente agu i mëngjesit të nesërmë.
… Nga banesat tona vargu i të dëbuarve ndalej tek stacioni i trenit në Prishtinë, aty ku ishin qindra e mijëra njerëz, që prisnin për të hipur në tren e për të shkuar në Fushë-Kosovë, për të vazhduar për Ferizaj, Kaçanik dhe për t'u ndalur në Han të Elezit, tashmë aty ku nuk kishte kurrfarë hani a bujtine, por nën qiell të hapur, ku vërtet aty po fillonte akti i dramës tragjike të shqiptarëve.
… Treni, me gjithë ata vagonë ishte i stërmbushur me qindra e qindra njerëz, thuaja të të gjitha viseve të Kosovës, po zvarritej si një gjarpër i zi mbi ata binarë, nëpër gjithë ato kthesa të panumërta që nga Gryka e Kaçanikut e tutje drej Bllacës. Dhe, pak para se të arrinte në stacionin e Hanit të Elezit, treni ndaloi pak më larg, ku udhëtarët filluan të dyshonin në shumëçka, por me t'u përhapur një lajm se aty "do t'i ndanin meshkujt nga femrat" sikur u shkaktua një mëdyshje, ankth dhe habi e madhe. Dhe, ashtu gjithsecili po e vriste mendjen se çfarë mund të ndodhte aty për aty, duke pandehur se kjo mund të ndodhte sa çil e mbyll sytë, por meshkujt as që ua komentonin grave e fëmijëve…