RAQUEL ZARAZAGA
Raquel Zarazaga është një poete, psikologe dhe mësuese, që jeton në Spanjë. Ajo drejton disa edicione të Bienales së Arteve dhe Letërsisë Plastike (PLASTILÍRICA), merr pjesë aktive në lexime apo cikle poetike dhe është pjesë e disa revistave letrare të shtypuara dhe online. Ka botuar disa libra me poezi. Raquel ka marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë në vende të ndryshme të botës.
EJA NË AJËR
Merrmë, mbamë fort
që fantazmat të mos më arrijnë dot.
Po, ato po vijnë përsëri tek unë.
Por nuk do t’më zënë kurrë.
Mjaft më me trishtim dhe zi.
Nuk është ky fati im.
Nuk dua të kthehem në tokë
pa qenë së pari në fluturim.
Qenia ime është kokëfortë.
Nuk i shmanget jetës.
Dëshiron ta mbushë me re dhe zogj.
Le të mbetet pusi plot
sepse goja ime nuk lodhet, jo.
Pi gllënjka dhe vetëm pi.
Di si ta dhurojë veten.
Dhe të gjejë kënaqësi.
Gjithçka. Gjithçka dhe asgjë në ajër.
Në të cilin ju merrni frymë
- me ëndrra dhe realizëm plot -
dhe ku ndonjëherë më mungon
pritja,
mospritja.
Prej këtu fill zë fluturimi.
Nevoja për t’u bërë gjak
frymë, materie e lehtë.
Trupi nuk është një pengesë,
ai varet nga dëshira maksimale
dhe i përshtatet pulsit të saj.
Ndonjëherë është ulërimë,
ndonjëherë është këngë.
Shpesh është përkëdhelje, pothuaj një prekje
dhe gjithçka bëhet më e lehtë.
Unë i jepem ajrit,
E lë veten të lirë
pa thënë jo, pa asnjë arsye
kërkoj vetëm buzëqeshje,
farën e dritës.
Kërkoj vetëm krahë.
KOHËT QË JETOJMË
Më vjen të bërtas dhe të dua.
Zemërimi dhe dëshira për të jetuar
i lënë vend njëri -tjetrit në pulsin tim.
Nxehtësi dhe ftohtë.
Unë ende në çmenduri besoj
Të jetoj për një ëndërr,
të ushqej çdo rrahje zemre
me një dëshirë.
Por trupat e plagosur shtohen,
numri i të pagjumëve rritet
në paqe nuk jetojmë.
Unë dua që gjithçka të digjet, po,
por ka kaq shumë mbeturina në zjarr
se era e keqe na ndot shtëpitë,
buzëqeshjen e fëmijëve tanë njollos
sepse ata shohin tek ne frikën.
Të duash atëherë në kohë të vështira:
kulmi i mosarsyes
aventura më e shëndetshme…
një mënyrë e mrekullueshme për të rezistuar.
Shqipëroi: Irma Kurti