Miftar Tërshnjaku - poezi

Miftar Tërshnjaku - poezi
ENGJËLLI QË QAU PËR SHQIPËRI
 
I binin, o Zot, në kafkë e në ballë,
me forcë policët, fare pa u ndalë,
shqiponja në atë çast nga sytë lotin derdh,
kur pa të miturin të gjakosur në terr.
 
Nga qielli i kaltër ushtoi një zë,
një engjëll po qante përmbi këtë dhe,
me duart e ngritura, iu lut të vetmit Zot,
kur pa një të mitur në pranga e në lot.
 
- O Zot i madh, që sheh çdo padrejtësi,
pse gjaku i fëmijës po rrjedh në Shqipëri?
Pse duart që duhej ta mbronin me nder,
po i bien t’pameshirshmit pa ndërprerë?
 
Zoti atë çast bekimin ia dha,
lutjen e engjëllit me dhimbje e dëgjoi:
- Shko, engjëll, zbrit poshtë në Shqipëri,
që t’ia kthesh të miturit lirinë përsëri!
 
Engjëlli nga qielli si vetëtimë fluturoi,
mbi tokën shqiptare me dhimbje kaloi,
por kur pa prindërit me lot në sy,
iu drodhën krahët për këtë Shqipëri.
 
Nëna te dera priste me zemër të vrarë,
babai në heshtje rrinte, me shpirt të copëtuar.
- Ku është fëmija? - thërrisnin si të ngratë.
Ç’bëmë, o Zot, pse kemi këtë fat?
 
O polic, pse dorën mbi fëmijë e ngre?
Ai ka një nënë që pret t’birin në derë!
Uniforma s’të jep të drejtë të bësh mizori,
as vepra jote nuk është drejtësi!
 
O Shqipëri, zgjohu, mos hesht për këtë plagë,
kur dhunohet një i mitur, errësohet çdo prag.
Protesta s’është krim, as zëri i mospajtimit s’është faj,
asnjë fëmijë s’duhet të kthehet në viktimë të saj.
 
O polici, mos i godit bijtë e tu,
se loti i një nëne qiellin e ka trazu.
Protesta s’është krim, as fjala s’është tradhti,
mjerë ai shtet që dhunon rininë e tij!
 
Engjëlli u kthye në qiell me lot në sy,
duke i kërkuar Zotit prapë drejtësi për Shqipëri,
se shteti që fëmijët i mbron me dashuri,
ka nder, ka të ardhme, ka liri!
 
Akad. Miftar Tërshnjaku