Martha Vaskantira, poezi

Martha Vaskantira, poezi
RRËFIMI I NJË ENGJËLLI
(poezi kundër luftës, kushtuar të gjithë engjëjve që u humbën padrejtësisht).
 
Zogj të zinj shpalosin klithmat e tyre.
Paralajmërim i shkretëtirës dhe vdekjes
në një vend ku agimi është gjithmonë errësirë.
Duart e zhveshura lajnë vdekjen në lumë.
Aq të bardha, aq të pafajshme…
Si zambakë që çelën
në brigjet e tij
dhe u përkulën të puthin
trupat e vdekur të Engjëjve
që zbukurojnë ujërat e tij.
 
Luftërat derdhen
në detet e sferës së argjendtë.
Udhëtim me lot
në deltën e ferrit.
 
Shqiponja hapin krahët e tyre.
Hija e tyre varrosi dashurinë
në shpellat.
Gëlltiti buzëqeshjet e fëmijëve.
 
Nëna qëndron në shi.
Mban lulen e pranverës
që u këput herët.
Sytë e saj – oqeane të zinj
ku u mbyt bota.
 
Djali i saj trevjeçar,
i mençur nga dhimbja
dhe mallkimi i popullit të tij,
preku përjetësinë.
 
Fjalët e tij janë yjet e Vilhem
që kurrë nuk do të perëndojnë.
Rrjedhin në veshët e saj
ngadalë, me mundim,
gdhendin mendjen,
shkulin trupin.
 
Shpirti gjunjëzohet
para shikimit të tyre të Shenjtë.
 
"Mami, kur do shkoj atje lart,
do t’ia tregoj te gjitha Zotit."
 
Mrekullia u përkul.
 
DASHURIA 
 
Njeri, mos më godit.
Jam vëllai yt.
Të dy kemi qarë kur kemi lindur. 
 
Mos më shkakto dhimbje.
Të gjithë kemi ndier dhimbjen. 
 
Mos e shemb të qeshurën time.
Nga gëzimi i jetës mbahesh. 
 
Mos m’i këput duart.
Ato do të të përqafojnë kur të rrëzohesh. 
 
Mos më tradhto.
Një përkëdhelje kërkon mes errësirës. 
 
Mos e përqesh jetën time.
Ke luftuar aq shumë për tënden. 
 
Më lër të banoj në lotin tënd,
në të qeshurën tënde,
në ëndrrën tënde,
që të ketë shtëpi njerëzia jote. 
 
Mos më lufto,
që të mos humbasë betejën mirësia jote. 
 
Mos më kthe shpinën,
që shpirti yt të mund të shohë në dritaret e hapura. 
 
Hija e njeriut
është hapja drejt dritës së Botës,
është dora e Zotit që bashkon botën
për të sjellë mrekullinë e dashurisë. 
 
Mos ia mbyll derën dashurisë.
Jeta është jetime pa të.
Ajo na lindi. 
 
(Përktheu nga greqishtja: Elli Lagiou)