Marg Shilipa - (dy poezi)

Marg Shilipa - (dy poezi)
Marg Shilipa (Margherita Scilippa) lindi në Palermo (Itali) më 1945 nga prindër të Horës së Arbëreshëvet. U diplomua në Institutin Pedagogjik të Palermos; mësoi për disa vjet në krahinën e Torinos dhe te Hora e Arbëreshëvet, ku dha mësimin edhe të gjuhës sonë duke shfrytëzuar ligjet shtetërore që e lejojnë. Poezi të saj kanë qenë botuar në revista arbëreshe me pseudonimin Mitja o Marg. Ka botuar më 2010 librin e parë me poezi dygjuhëshe (70+70) “Re me rreze dielli - Nuvole con raggi sole” (Pitti Edizioni - Palermo; pp 144) dhe më 2014 librin e dytë, edhe ky me poezi dygjuhëshe (55+55), “Trëndafile rërje - Rose di sabbia” (Pitti Edizioni – Palermo, 2014; pp 102). Në Shqipëri më 2015 ka botuar te Ombra GVG (Tiranë) librin “Ëndrra si re”, antologji me poezi të saj në gjuhë arbëreshe. Ka shkruar dhe adaptuar arbërisht përralla dhe tekste teatrale (Kësulëkuqja). Ka marrë pjesë në veprimtarinë kulturore dhe teatrale të Shoqatës “Mondo Albanese” të Horës së Arbëreshëvet.
..............................................................
 
SHPRESË
 
Nani* arrënë
   te kjo stinë
      dëshirojëm* sa të jetë me ne
            e butë gjella* e të na ndihënjë
                     të përballojëm* dimrin e egër             
             me mendjen e me zëmrën
       të lira nga parandjenja
   të errëta e mjegulla
melankolike.
____________
*tani arritur; *dëshirojmë; *jeta; *përballojmë
 
 
1 MAJ 1947
 
Tek ajo ditë tata jim ish atje.
Ditë festje për kë kish besë te puna
çë fisnikëron njeriun.
Te Purtelja e Gjinestrës burra gra djem
flamurit shkëlqyes me të kuq
“himni i puntorëvet” i bandës muzikore.
Tata im - artizan i ri - ish atje ç’i bij te klarineti.
Spartat zbukuruar me stolitë e tyre të arta
erësojën të dejtura nga gëzimi i ditës.
- Të dashur punëtorë...- oratori zuri fjalët e tija,
por qëndruan të varura n’ajer... Nga lart
si shtrëngatë gushti i papritur
një shi balësh plumbi
u sul mbi njerëzit në festë. Ranë si gurë
kurmet me çudinë në sy.
Currile gjaku kulluan mbi tokën
e murrët e mbi barin.
U përzie njeriu bota spartat qielli
u ndanë e u përzien. – Dolla i gjallë?
Ku je ti bir? Ku je ti shoqe? O burri jim!
Tata im tek ajo ditë ish atje: - Vdiqa! –
pëshpëriti. E mendja si për të sprasmen herë
i shkoi tek e shoqja, te bijat... e u shpëtua.
E Para e Majit me flamurin e gjakut!
Festa kish sosur pa zënë fill.
Kush dij* e ngë e kallëzoi
la sa ulqit të shqyejën qengjit.
__________
* dinte