Geraldo Enes Rexhvelaj
Geraldo Enes Rexhvelaj është student i degës së Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, i dalluar për përkushtimin akademik, angazhimin shoqëror dhe dëshirën për të sjellë ndryshim pozitiv në komunitet.
Rrugëtimi i tij nisi me rezultate të shkëlqyera në Kolegjin e Priftërinjve Jezuit, ish-Kolegji Saverian, Gjimnazi “Atë Pjetër Meshkalla” në qytetin e Shkodrës, ku u diplomua me Medaljen e Artë, vlerësim i akorduar për rezultatet maksimale në Maturën Shtetërore. Më pas nisi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, ku këtë vit përfundoi vitin e dytë, duke ndjekur me vendosmëri ëndrrën për t’u bërë mjek.
Përtej auditorëve, Geraldo Enes është një nga themeluesit dhe, aktualisht, drejtues i nismës rinore “12 Muaj Aktivizëm”, një platformë që synon të frymëzojë të rinjtë të ndërmarrin nisma me ndikim në shoqëri dhe të zhvillojë projekte me impakt social. Në kuadër të kësaj nisme ai ka organizuar aktivitete në mbështetje të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, përmes koncertit të bamirësisë “Unë Besoj në Mrekulli”; aktivitete të dedikuara promovimit të shëndetit publik dhe shëndetit oral; nismën për mbledhjen dhe dhurimin e librave në gjuhën shqipe për komunitetet shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë, me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar pavarësisht copëtimeve historike; si dhe ka marrë pjesë në iniciativa që trajtojnë sfida si emigrimi i të rinjve dhe problematika të tjera rinore.
Geraldo Enes është gjithashtu një nga drejtuesit e Klubeve Zyrtare të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, “MedTalent”, ku, që nga viti i parë i studimeve, drejton Klubin e Librit MedTalent. Përmes këtyre klubeve ai ka synuar të ndihmojë studentët e UMT-së të mos lënë pas dore talentet e tyre artistike dhe sportive, pavarësisht përgjegjësisë së madhe që mbart profesioni i ardhshëm si mjek.
Në kuadër të MedTalent, Geraldo Enes ka kontribuar në organizimin e:
• Koncertit të Bamirësisë “Ende ka Shpresë”, një traditë katërvjeçare e studentëve të UMT-së, ku ata prezantojnë talentet e tyre artistike me qëllim mbledhjen e donacioneve për fëmijët në nevojë të shtruar në pavijonet e QSUNT-së.
• “Mbrëmjeve Poetike”, një platformë artistike ku studentët me prirje në letërsi prezantojnë krijimet e tyre.
• Kurseve mjekësore të dedikuara boshllëqeve apo temave ku studentët e mjekësisë hasin vështirësi, me synimin për të përmirësuar aftësitë profesionale të mjekëve të ardhshëm.
Geraldo Enes është anëtar aktiv i ACMS (Albanian Committee of Medical Students), organizata që përfaqëson studentët e shkencave mjekësore të universiteteve publike dhe private në Shqipëri në kuadër të IFMSA (International Federation of Medical Students’ Associations). Brenda kësaj organizate ai është angazhuar si koordinator aktivitetesh në Programin e Edukimit Mjekësor, Inovacionit dhe Kërkimit Shkencor. Në këtë kuadër ka organizuar aktivitete me fokus edukimin mjekësor, si: Chest X-ray Essentials, OSCE Simulation, ATLS Trivia, Escape Room: Diabetes Mellitus, si dhe aktivitete të shëndetit publik, si Patologjia e Kancerit të Gjirit dhe Heroes of Albanian Medicine.
Geraldo Enes ka nisur gjithashtu hapat e parë në fushën e kërkimit shkencor, ku ka publikuar artikuj shkencorë dhe ka marrë pjesë aktivisht në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat:
• Konferenca READ (Research Expertise from the Albanian Diaspora), ku mori pjesë me studimin “Addressing the Escalating HIV Epidemic in Albania”, i cili u publikua edhe në revistën mjekësore ballkanike Medis – Journal of Medicine.
• Kongresi i Parë dhe i Dytë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, i organizuar nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, ku prezantoi punimet e tij në formatin e posterit shkencor. Në edicionin e dytë ai ishte gjithashtu pjesë e ekipit organizator të Research Hub 3, një platformë e krijuar nga MedTalent, nëpërmjet së cilës u përzgjodhën dhe u prezantuan studime shkencore të realizuara nga studentët e UMT-së.
• MedicAL, konferencë e organizuar nga ACMS me pjesëmarrjen e studentëve të mjekësisë nga e gjithë bota, me synim forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet studentëve të mjekësisë.
Përveç shkencës, Geraldo Enes ka një anë të zhvilluar artistike. Ai shkruan poezi dhe reflektime, është i apasionuar pas historisë, filozofisë dhe simbolikës, duke i parë këto si mënyra për të kuptuar më mirë njeriun dhe botën.
Në fushën e letërsisë është vlerësuar me disa çmime, ndër të cilat:
• Çmimin e Parë në konkursin “Mendimi Im, Forca Ime”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me poezinë “Sekreti”.
• Çmimin e Dytë në festivalin “Të Rinjtë në Poezi”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër.
• Çmimin e Dytë në konkursin letrar “Të Rinjtë në Letërsi”, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti” e qytetit të Shkodrës dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Aktualisht ai po përgatitet për botimin e librit të tij të parë, një vëllim poetik.
Gjithashtu është marrë me aktrim në disa shfaqje të organizuara nga Teatri “Migjeni”, Bashkia Shkodër, shoqata “Gruaja për Gruan” dhe organizata të tjera.
Filozofia që e udhëheq është se suksesi nuk matet vetëm me arritjet personale, por edhe me ndikimin pozitiv që lëmë tek të tjerët. Ai beson se dija, puna e palodhur dhe humanizmi janë themelet e një mjeku dhe qytetari të denjë.
Me ambicie të larta dhe një përkushtim të vazhdueshëm ndaj vetëzhvillimit, Geraldo Enes Rexhvelaj synon të ndërtojë një karrierë që bashkon ekselencën akademike, shërbimin ndaj komunitetit dhe kërkimin shkencor, duke lënë një kontribut të qëndrueshëm në mjekësi dhe në shoqëri.
Përgatiti Adelina Pali