Hysen Grajçevci - GJEOGRAFISË SHQIPTARE

Hysen Grajçevci - GJEOGRAFISË SHQIPTARE
GJEOGRAFISË SHQIPTARE
 
A thua kam arsy të krenohem !?
Jo, nuk kam! 
Atëherë, pse krekosem?
Nëse vështrimin, 
jo edhe hapin
hedh andej nga veriu,
shoh trojet e mia mbetur shkret 
si t’u kishte rënë murtaja, 
mbi të cilat sot kalërojnë 
çakej e korba! 
E unë, mbaj kokën lartë
si fodull lirie
për ato që i pata,
për ato që i humba!
Po të nisem nga jugu 
Ku të ndaloj!?
Sikur ende dëgjoj dhimbjen 
gjëmën, vajin e nënave!
Edhe këtu trojet e mia vajtojnë!
Trojet e mia që i kafshoi
e po i kafshon Lubia!
Në lindje, 
aty, ku frymojnë zogjtë e shqipes
ndalohem në truallin tim, 
nga zogj bufi me 
zë e gjuhë sorre 
fermentuar me glasa marifeti!
Eu djepi i gjuhës sime, 
foleja ku lëshoi rrënjë alfabeti!
Perëndimin prek vala,
Vala e detit tim prek  
brigjet e mia të djersitura,
po asesi t'i zgjoj nga amullia!
Atëherë  pse të krekosem!?