Harry Parker - SI I PËRGJIGJET TË SHKRUARIT DHUNËS?

Harry Parker - SI I PËRGJIGJET TË SHKRUARIT DHUNËS?
SI I PËRGJIGJET TË SHKRUARIT DHUNËS?
 
Unë besoj se shkrimi është ende mënyra më e sofistikuar për të komunikuar një histori. Pavarësisht ekzistencës së teknologjive si filmat dhe videolojërat, letërsia mbetet forma më e mirë e realitetit virtual: ajo krijon një botë në mendjen e lexuesit, në sa më shumë dimensione.
Romani mund të na çojë në një mjedis, në një ide ose në një kohë të re dhe të thellë. Mund të tregojë gjithashtu dhunë dhe vuajtje, madje edhe ta fusë lexuesin në mendjen e autorit ose viktimës dhunuese.
Pasi të kem shkruar një pasazh të dhunshëm, dhe nëse gjithçka shkon mirë, shpesh përjetoj atë që përjetojnë personazhet e mi: një përzierje adrenaline dhe trishtimi.
Në një farë mënyre, i kam shkaktuar vetes dhunë të lehtë. E bëra skenën sa më të gjallë që ishte e mundur në imagjinatën time dhe kjo mund të jetë e dhimbshme. Shpresoj që atëherë të përjetojë sërish me sa më shumë forcë në imagjinatën e lexuesit dhe ai të ndjejë atë që ndjeva unë.
Sigurisht që ka një përgjegjësi të shkrimtarit, veçanërisht të autorit të letërsisë artistike. Dhuna në letërsi nuk duhet të jetë e lirë ose të ekzistojë për hir të saj. Duhet të jetë besnike ndaj realitetit në mënyrë që lexuesi ta kuptojë vendin e tij në tregim.
Kur isha në ushtri, kuptova se sa çnjerëzore mund të ishte dhuna. Sapo vritej ose plagosej ndonjë ushtar i kampit tjetër, atëherë ne do ta kishim më të lehtë të shkonim drejt patrullës së radhës me zemrat plot hakmarrje dhe agresivitet. Duhej të kishim kujdes që të mos i ri ndjenim, sepse në prani të emocioneve të tilla, ushtrimi i profesionit tonë do të çonte në vendime të gabuara dhe, në rastin më të keq, në mizori.
Armiku që kam luftuar ishte shpesh një objektiv pa fytyrë mbi një hartë, ose një dritë në maje të një arme në një dritare, një hije gjatë natës. Kishte misione që përshkruheshin përmes foljeve si: "Shkatërroje", "Fito", "Neutralizoje". U përpoqën të ushtronin dhunë ndaj meje, dhe mënyra më e lehtë për të bërë dhunë është çnjerëzimi.
Por kishte edhe njerëz që shihja në tregje ose duke kultivuar arat: ishin në moshën time, dukeshin të frikësuar sa unë dhe në fund po bënin atë që mendonin se ishte e drejtë.
Kur iu drejtova shkrimit, e dija mirë se, në kulturën popullore, disa përshkrime demonizojnë armikun. Kjo nuk më dukej aspak e vërtetë. Edhe pse ndjeva zemërim për atë që më ndodhi, nuk zgjati shumë kjo dhe nuk iu drejtua kurrë atyre që vendosën bombën të cilën unë shkela.
Përpjekja për të imagjinuar mënyrën e të parit të armikut më intereson gjatë gjithë kohës. Edhe pse ai më bëri të hidhesha mbi një bombë, më duhej t'i besoja një realitet për ta kuptuar.
Në një farë mënyre, të shkruarit ishte një mënyrë për të ri-humanizuar veten time. Në librin tim, personazhet vendosin një bombë e cila plagos një ushtar. Ata janë të rinj që jetojnë në një vend të shkatërruar nga lufta dhe kanë pak perspektivë për të ardhmen.
Dhe ndërsa e pranoj se unë si një i bardhë perëndimore solla paragjykimet e mia, u përpoqa t'i bëja sa më të vërteta ndaj së vërtetës dhe sa më të besueshme që mundesha.
Arsyet e mia për t'u bërë ushtar nuk ishin ideologjike: ato ishin gjëra të tilla që lidheshin më gëzimin e një pune të paguar mirë, sigurimet, lidhjet e miqësisë. A nuk mund të ketë armiku im motive të ngjashme?
Teksa shkruaja, pyesja veten se si do të reagoja, çfarë do të bëja nëse çdo ditë nga shtëpia ime kalonte një tank i dërguar nga një komb i huaj. Ndoshta do të marr armët.
Për mua, pra, një nga përgjegjësitë kryesore të letërsisë është të hapë sytë e lexuesit ndaj të dyja palëve në konflikt, sado që është e vështirë të shikosh përtej traumës së dhunës.
Mos më keqkuptoni. Ka njerëz dhe grupe, veprimet e të cilëve janë mjaft të neveritshme dhe aq në kundërshtim me vlerat njerëzore, saqë është e pamundur të identifikohesh me ta në asnjë mënyrë. Dhe nuk u zbuta duke ndërruar punë. Unë ende besoj se mund të jetë e dobishme të përdorim forcën për të mposhtur armiqtë tanë. Por unë mendoj se, shumë më shpesh nga sa e kuptojmë fillimisht, ka mënyra të tjera, më inteligjente të veprimit që kërkojnë nga ne të kuptojmë më mirë armikun.
Letërsia është një vend në të cilin ne mund të eksplorojmë dhunën dhe të sfidojmë nocionet e "ata dhe ne": një instinkt mbijetese të cilit i janë bashkangjitur kabllot. Në një botë gjithnjë e më të lidhur, ne nuk mund të mundësojmë që kjo të mos bëhet.
 
Përktheu I. Ismaili