PIKTORI I POPULLIT GURI MADHI (1921-1988)
Guri Madhi lindi më 15 maj të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Pas përfundimit të shkollës fillore, Guri Madhi ndoqi për dy vite shkollën e mesme italiane në Korçë, me bazë vizatimin. Pas vitit të dytë kjo shkollë u mbyll.
Në vitin 1946, ai filloi punë si piktor në Shtëpinë e Kulturës e më pas si ndihmës - skenograf në Teatrin e Korçës.
Ne vitin 1950, Guri Madhi, filloi studimet në Akademinë e Arteve në Leningrad (Shën Petersburg), ku në vitin 1956 mori Diplomën dhe e përfundoi shkollimin e lartë me rezultate të shkëlqyera.
Më pas, filloi punë në Ministrinë e Kulturës si inspektor.
Në vitin 1958, emërohet pedagog në Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë.
Në vitin 1961, Guri Madhi ishte një nga tre pedagogët të cilët themeluan Institutin e Lartë të Arteve Figurative (sot Akademia e Arteve) në Shqipëri.
Guri punoi disa kohë në ndërmarrjen e mjeteve mësimore në Tiranë.
Ai u trajtua me leje krijuese 2 - vjeçare për kompozimin “Reforma Agrare”.
Për disa vite, vazhdoi punën si pedagog në liceun artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve të Bukura.
Në vitin 1976, Guri Madhi, mori titullin “Piktor i Popullit”
Guri ka qenë pjesëmarrës në mbi 150 ekspozita me veprat e tij brenda dhe jashtë vendit si në: Francë, Gjermani, Itali, Kinë, Slloveni, Spanjë, Australi, Greqi, Turqi, Rumani, Bullgari, Austri, Zvicër, Turqi, etj.
Guri ka marre mjaft çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ai është pjesë e enciklopedisë Benezit, Oxford, Commanducci, German, etj.
Guri Madhi hapi disa ekspozita personale në: Shqipëri, Zvicër, Slloveni dhe Itali.
Ai është dhe do të mbetet artist i shquar për kompozimet monumentale.
Një sukses të merituar ka patur vepra e tij "Kur nuk shkojnë në stadium" e vitit 1986, e cila është cilësuar nga kritika ndërkombëtare me vlera shumë të veçanta dhe pikturë moderne e shekullit të XX-të.
Kjo vepër, është pjesë e ekspozitës "In motion - art & football", hapur në Dortmund të Gjermanisë më 27 Maj të vitit 2024.
Në 1983 doli në pension e në vitin 1988, vdiq në Budapest.
Përgatiti Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese