Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
ME DHUNË NA DËBUAN NGA SHTËPITË
Fehmi Kuleta
Populli shqiptar në Kosovë kishte vuajtur shumë nga pushteti okupues i Serbisë. Më 29 mars 1999, Prishtina pothuajse filloi të zbrazej nga banorët shqiptarë. Forcat policore- ushtarake të Serbisë erdhën në lagjen tonë, në Velani. Ata vinin nëpër lagje dhe hynin në çdo shtëpi, duke na keqtrajtuar dhe dëbuar nga shtëpitë tona. Fjalët e para të tyre ishin: Ikni, shkoni për Shqipëri!
”Hajde, idite za Albaniju”. Hajde, shkoni për Shqipëri!. Ne dolëm me dhunë nga pushteti serb sepse ishim të këcënuar dhe të detyruar t`i lëshonim shtëpitë tona. U drejtuam të shkonim drejt stacionit të trenit.
Në stacionin e trenit qëndruam nga mëngjesi deri në orën 11 të ditës së nesërme. Dikur hymë në tren, i cili ishte i stërmbushur me njerëz të dëbuar dhe morëm rrugën për në Bllacë. Në Bllacë kam qëndruar tetë net. Aty vëllezërit shqiptarë nga Maqedonia u kujdesën për neve, duke na sjellë ushqim e veshmbathje. Kështu që pas qëndrimit tonë 8 ditësh në Bllacë, na dërguan në kampin e Stankovecit ku u strehuam nëpër tenda. Në Stankovec, kam qëndruar dy muaj dhe pastaj më kanë dërguar në Norvegji. Në Norvegji kam jetuar dhe punuar dy vjet. Pas dy vitesh qëndrimi në Molde të Norvegjisë, shteti norvegjez mori vendim që të gjithë shqiptarët të kthehen në vendlindjen e tyre.
Pas kthimit tim në Kosovë nuk i besoja vetes se tanimë forcat serbe ishin larguar tërësisht nga Kosova. Nga kureshtja dola nëpër rrugët e Prishtinës, nuk shihja asnjë polic serb, me vete mendoja por nuk mund të besoja që Kosova është çliruar nga regjimi hegjemonist i Serbisë. Populli shqiptar duhet të jetë falënderues Amerikës.