Fatbardha Behri Kaçi - poezi

Fatbardha Behri Kaçi - poezi
FATBARDHA BEHRI KAÇI
 
Fatbardha Behri Kaçi lindi në Tiranë, ku kreu edhe studimet e larta. Në vitin 1975 u diplomuar në Gazetari.
Nga viti 1974 deri në vitin 1980 punoi si gazetare në Radio Televizionin Shqiptar. 
Në vitin 1980, pasi u martua në Shkodër, nisi karrierën e saj si mësuese, duke dhënë mësim në lëndët e Filozofisë dhe të Gjuhë -Letërsisë.
Gjatë veprimtarisë së saj letrare ka botuar një monografi kushtuar gazetës «Drita» të Shahin Kolonjës, një tribunë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, botuar në kuadër të punës së Institutit të Historisë.
Fatbardha është gjithashtu autore e disa vëllimeve poetike: "Tango me veten" (poezi), "Kape ëndrrën Sarah" (poezi), "Hapat e pranverës" (vjersha për fëmijë), "Një gotë dashuri" (poezi)
Krijimtaria e saj letrare përfshin si poezinë, ashtu edhe letërsinë për fëmijë, duke pasqyruar një rrugëtim kulturor dhe krijues që ndërthuret me përvojën e saj profesionale dhe njerëzore.
 
BALADA  E  BRAKTISJES
 
Zë i bruztë endet në buzënatë.
Kënga e prushuar hënën bën të qajë.
Yjet fërgëllojnë në atllas të qiellit.
 
Tre gojë- mitur cicërimë,
zemër' nënë-zezës copash...grirë...
Hija e babait ikur,  nxin e nxin...
 
Zë i bruztë i dhembjes në buzënatë.
Mëndja e gremisur, nënës ngratë,
në çengel të hënës varur...vrarë...
 
PETALET  E  SHKUNDURA
 
Pranvera i shkundi
petalet e prillit...
Gjak' kullon pik- pik
nga qerpik i hënës,
zbardhur llahtari...
Agu ngurron të vijë,
se dielli vajton 
pas malit të dhembjes...
Dy gra, dy lule të jetës,
dorë mizore e xhelozisë,
i këputi...
 
Shpifje në zili e Jago- ve
rrëzon trimëri Otello- sh...
Në cilat shtigje drite
flatron pafajësi e vrarë?
 
TANGO  E  VERBËR
 
E ajërt, në ikje ëndrra.
Dëshirat e purpurta plagosur.
Ushtar i Mefistofelit
pëshpërimë e gjakut,
më shkel kufijtë e vetes.
Më shtyn të vallzoj
e verbër në çartje...
Në tango frymoj,
në tango i bëlbëzoj
veshit të kohës.
Se e verbër tango...
Sytë arratisur
honeve të dhembjes.
Dy hapa para,
një hap prapa...
Rrotullim shpërhapës,
mashtrim i ëmbël.
Dyshe në ëndërr,
me një siluetë...
fantazëm sfinksi...
Tango e verbër,
përgjigje...sfinksit...
...të jetës....
 
Përgatiti për botim A. Kosta