NJË GRUA
Si është një grua ?
Të jetë prej deti,
prej pjalmi lulesh,
prej buzëqeshjesh,
prej tingujsh,
apo prej rrezesh dielli ?
Si mund të jetë një grua ?
Mos është prej kristali,
të bie nga dora dhe thyhet,
mos është prej loti në cepin e syrit tënd.
Mos ndoshta është prej ere,
që kapërcen detet,
përplaset me shkëmbinjtë,
ledhaton lulet,
përcjell melodi kënge larg në eter,
shkëlqen
e u shkon mes për mes
vetëtimave që vijnë nga fundi i qiellit.
Si është një grua ?
Mos është prej shiu
dhe ti e sheh nga dritarja
kur bie,
apo është mjegull e bardhë
që nuk të le të shohësh asgjë tjetër.
Si është një grua ?
Unë them,
një grua është vetë universi.