NJË FORMË RRËFIMORE NË TË CILËN GJEJMË DRAMËN E DASHURISË
Drama “Lule Zjarr”, njëaktëshe me një pamje nate dhe epilogu, i autorit Xhemil Bytyqi, që në leximin e parë, të skenave të para, të nxjerr nga përditshmëria e mërzitshme e ngjarjeve që ndodhin në vend, duke të bërë të lumtur e hedhur papritur në një kopsht me lule të shumëllojshme, ku dy të rinj, Anjeza dhe Alberti zhvillojnë ngjarjen dramatike të dashurisë si dhe duke e mbajtur vijën dramaturgjike në nivelin e kënaqshëm, pavarësisht nga ndonjë rënie aty këtu e që pa ndonjë vështirësi do të rregulloheshin nga puna profesionale e regjisorit në aktin e fillimit të punës për realizimin e kësaj drame në përgjithësi.
Ngjarja që flet për dy të rinjtë të dashuruar kohë më parë, paraqitja e drejtë dhe njerëzore e kohës, është paraqitur në formën dramaturgjike, duke filluar nga paraqitja e parë fizike e tyre në Parkun botanik deri të dialogu i personazheve që ruajnë nivelin e duhur të të shprehurit, kuptimin, pamjen dhe kuptueshmërinë e zhvillimit të një ngjarje në vazhdimësi. Dhe, zhvillimi i një ngjarje, që brenda vetës tregon dashurinë e dy të rinjve, sjelljet njerëzore e veprimet e arsyeshme të kohës moderne është sa bindëse po aq edhe mbanë vijën dramaturgjike në nivelin e duhur.
Duke marrë parasysh se personazhet ruajnë largësinë e nevojshme të një periudhe me të ndodhurën, ata mbeten pjesë e një tërësie që e ruajnë atë, duke e lënë si gjurmë në një përmasë dramatike. Gjithë kjo i ngjan një labirinthi, që fundin e errësuar të tij fillon ta ndritë një rreze e ngrohtë dielli, apo dritë hëne, kushedi sa larg Kopshtit botanik.
Duke e lexuar, shikuar apo interpretuar, dramën “Lule Zjarr” (lexuesi, shikuesi apo edhe aktori) gjejnë pikërisht kreaturën e personazheve që jo vetëm janë shembull i modelit jetësor, por edhe interpretimin rrëfimor të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.
Kjo formë e rrëfimit, pavarësisht zhanrit teorik e stilistik mund të quhet vepër letrare në të cilën gjejmë dramën dhe kreaturën e personazheve brenda ngjarjes që zhvillohet edhe në pamjen e natës e deri të epilogu i saj, në kohën e po të njëjtit personazh dhe ngjarjes dramatike në përgjithësi.
Aq sa përshkruhen detajet e jashtme, papritmas ndërhyn ndërtimi i profilit të heroit të personazhit, ndërtimi i pranisë së papranishme është një shkathtësi dhe mjeshtri e rrallë rrëfimore dhe reale në të njëjtën kohë. Thuajse të gjitha këto i paraqet autori Xhemil Bytyqi në pamjet e dramës së tij “Lule Zjarr”...
Jam i bindur se teatrot tona, përmes kësaj drame dhe tjerave që trajtojnë tema kaq interesante të dashurisë rinore, do të fitojnë shumë në aspektin dramaturgjik dhe do të duhej që të jet shembull edhe për dramaturgët tjerë që merren më tema të tilla, duke nxitur e stimuluar edhe aktorët e rinj edhe shikuesit që sot po i mungojnë teatrove.