ALEKSANDRA LEKIĆ VUJISIĆ (Podgoricë, Mali i Zi) është një profesoreshë e gjuhës angleze si dhe një shkrimtare dhe poete e vlerësuar me çmime. Ajo shkruan në gjuhën e saj amtare dhe në anglisht. Vepra e saj është përkthyer në italisht, spanjisht, polonisht, shqip dhe në gjuhën kineze. Ajo është autore e katër librave dhe anëtare e Shoqatës së autorëve malazezë për fëmijë dhe drejton një qendër kulturore për promovimin e leximit në vitet e hershme.
E THYER
Ngjan sikur zgjohesh ndanë një fryme të vdekur,
dhe ëndërron për jetë
dhe ndihesh e humbur,
rrekesh ta mbash fort
vajzën që ishe dikur
t’i rrëfesh të fshehtën e lashtë që ke kyçur,
veç një gënjeshtër e ëmbël
është kuptimi i saj.
Forca vogëlushe,
ki guxim, mos qaj.
E thyer, si një gotë vere
pas një grindjeje,
e thyer gjithçka e imja bërë copë e çikë
mbetur e padritë,
e thyer si predikues lutjesh të harruara,
si një pikturë pa ngjyra dhe dritëhije
dhe ti kurrë s’pyet për arsyen pastaj.
Forca vogëlushe,
ki guxim, mos qaj.
Më ke lënë më parë shumë herë
por unë përherë prirem të kërkoj më shumë
s’kam pse të ndaloj dhe as të kem frikë.
Forca vogëlushe,
ki guxim, thjesht ik.
MOS E KUJTO DHIMBJEN
Mos i kujto dhimbjet dhe sfilitjet,
mos e prano fatin që të tjerë përgatitën,
është kaq herët ta pranosh fundjetën-
thjesht duhet të vazhdosh përpjekjet.
Kur kujtimet nisin e nga pak të lëndojnë,
thjesht frikërat po të pushtojnë.
Mos i kujto dhimbjet dhe sfilitjen,
mos kërko t’i vësh emër pendimit,
është koha për të filluar fluturimin,
thjesht duhet të vazhdosh të përpiqesh.
Kur fjalët e tua fillojnë të rriten
kaq shumë gjëra në mendje do të përndriten.
Mos e kujto frikën dhe trishtimin,
nis e kërko lotët që ruajnë vezullimin.
UDHËZIME PËRDORIMI
Në rast urgjence hap shpirtin
funksionon pa dyshim edhe kur duket e vështirë.
Për mallkimet, frikërat, uirt dhe thatësirat,
për të gjithë ne sendet e prishura.
Në rast urgjence mos u shqetëso shumë
sepse gjithçka në këtë botë e ka një fund.
Për gënjeshtrat, mosdijen, kotësinë, persekutimin,
për dhimbjen e vërtetë dhe fundin në askund.
Në rast urgjence mbyti të gjitha dyshimet,
nxirre farkën nga kutitë e qelqta,
çliroji mendimet dhe hamendjet e paqeta,
frika dhe pashpresa të davariten lehtas.
NDONJËHERË
Ndonjëherë fjalët më kalojnë përbri
Nuk ia kam idenë pse, aspak s’e di
Gjithçka më duket me më pak ngjyrë se dje.
Ju lutem mos më trazoni, më lini në vetmi.
Përktheu: GRANIT ZELA
Redaktoi dhe përgatiti për botim: IRMA KURTI