Çerkin Bytyçi - FAT ËSHTË ÇDO MËNGJES I RI

Çerkin Bytyçi - FAT ËSHTË ÇDO MËNGJES I RI
FAT ËSHTË ÇDO MËNGJES I RI
 
Fat është çdo mëngjes i ri, i ri, i ri…
dhe dita e qëndisur me gëzime,
kur mbrëmjes i dhurojmë buzëqeshje
dhe gjumi n‘rrugëtim s‘ka shqetësime.
 
Fat është loja në kopshtin e shkollës
dhe kur flutura në dorë gjenë pushim,
kur me ëndje shijohet akullorja
dhe në faqet e librit merret ushqim.
 
Fat është aroma e luleve dhe ujëvarat
fluturimi i zogjve të lirë kaltërsive,
vezullimi ngazëllues i hënës dhe yjeve
fat janë të panumërtat e mirësive.
 
Fat është edhe fjala e mbushur ëmbëlsirë
ajo që lumturinë e gjyshërve e shtonë,
si edhe nota me yll e shkruar në fletore
kur për mund, zell dhe djersitje e fitonë.
 
Fat i artë është dora e shtrirë për mikun
dhe trokitjet në ditë të vështirë,
këndimi bashkë nën shkëlqimin e diellit
për shpirtin e freskuar me të mirë.
 
Dita e takimit magjik në urën e jetës
fat mbi fatet ishte për mua dhe motrën,
që mami dhe babi zemrat i bënë një
dhe me gëzime e gëzojnë vatrën.
 
E, meqë fati nuk njeh kohë e stinë
derën t’ia lëmë hapur përherë e mot,
dhe të rendim pas tij mirënjohës
pa e humbur asnjë çast kot e kot e kot.