Cikël poetik
QË KOHËN E NDAL
Një kujtim i bukur pa fjalë
Një buzëqeshje e ëmbël që ruhet me plot shpirt
Era që tund flokët të mos ndjehet aspak
Koha të ndalë, për ne le të ndalë
Të mos ketë as rrudha
Të mos ndjehet mall
Bukuria e fytyrës tënde të thuhet pa fjalë
Më dhuro një çast, një shikim, në fotografi
Koha le të ndalë, ta kem kujtim nga ti
Një çast të bukur plot dashuri
Ta shikoj plot nostalgji
Atë çast që kohën ndalëm ne të dy...
ROMAN
Roman pa titull bukur i shkruar
Në fund tre pika i papërfunduar
Një histori që të pushton zemrën
Një dashuri e zjarrtë për hyjnoren femër
Shkruar në kujtime e jetuar në ëndrra
Ngjarje drithëruese që e jeton zemra
Një roman kushtuar dashurisë për të
Si vet ajri që i jep jetë botës
Ashtu si dielli që i fal jetë tokës
Kryevepër për botën dhe për zemrën ndjesi
Titull vëni vetë si zemra të ju ndijë
Dashuri e ëmbël që shpirtin lash aty
Ta jetoj secili në mënyrën e tij
Mes rreshtash do gjeni vetëm sytë e saj
Buzëqeshja përcjellë atë në çdo fjalë
Frymojnë shkronjat kujtime, afsh e nostalgji
Përcjellë me mesazhin përplot dashuri
Një roman që titull do t`ia vësh ti
Shijoje me zemër, jo vetëm me sy...
PËR ATO BUZË...
Gjithë botën të më falësh sot
Përgjigjja e prerë: Jo, nuk dua!
Në do që sot të jem e lumtur
M’i fal një çast buzët e tua!
Detin dhe qiellin po ma fale
Me buzë të tharë do prisja vdekjen,
Në do që nesër të jem gjallë
Buzët e tua ma shuajnë etjen.
Në paç besim në perëndi
Dhe shpirti yt të ketë muzë
Provo të prekësh përjetësinë
M’i fal të lutem ato buzë!
NJË COPËZ ZEMRE
Me hënën e plotë që sonte ndriçon
Tek ti nisa një copëz zemre
Ta ruash fort, në gji ta mbash
Për dashurinë e një femre.
Hëna e plotë sonte ndriçon
Mesazhin shpejt tek ti e sjell
Copëzën e zemrës që të plotëson
Nga larg tek ti në zemër mbjell.
Copëzën e zemrës që plot do bëhet
Kur zemrën tënde të takojë
Ashtu si hëna që plotësohet
Kur dashuria të mbretërojë.
ORA E MESNATËS
Në përgjumje grindem me veten
Qepallat më rëndojnë po zemra s’më fle
Akrepat e orës mesnatën afrojnë
Unë pyes vetën, pse jemi kaq larg ne?
Gjumi nuk më zë, përpëlitem si në ankth
Xhelozoj akrepat e orës që po shkojnë në takim
Si çdo natë
Takohen bashkë në mesnatë.
Me kujtime ngushëllohem në orët pa gjumë
Ndoshta një natë nuk do jetë natë
As zili për akrepat e orës s’do të kem unë
Që takohen në të njëjtën orë çdo mesnatë.
Atëherë në krahët tu do më duket si ëndërr
Tik-taket e zemrës me zell do t’i numëroj
Kur ora e mesnatës të afrojë takimin
Me puthje apasionante gjumin do ta largojë.
NË DUART E ASKUJT
Kohën dot nuk e ndaluam
As unë, as ti dhe as ata
Ajo rrjedh si lumë i çmuar
Nuk ka kush që e ndalon.
Dashuria jeton me kohën
Bashkë me të vjen e shkon
Në duart e askujt nuk mbeti
Nëse ndjenjën s’e jeton.
Ikën dhe jeta bashkë me kohën
Dhe dashuria po ashtu
Nuk pati forcë kush ta ndalojë
Mbetën në duart e askujt.
Jeto çdo minutë që të dhurohet
Në çdo frymëmarrje dashuro
Se një ditë nuk jemi më
Në duart e askujt jetën mos krijo.
DHE TI QESH
Dielli ngadalë fshihet pas reve
Ngjyra e kuqe në qiell shfaqet
Dhe ti qesh...
bota mrekullohet.
Muzgu e puth tokën ngadalë
Era e lehtë flokët lehtë i lëkund
Dhe ti qesh...
çdo gjë qetësohet.
Hëna e nusëruar ngadalë shfaqet
Dirigjon yjet si një orkestër magjike
Ti prapë qesh...
nata zbukurohet.
Mëngjesi i ëmbël syçkat i hap
Ditë e re fillon prapë
Dhe ti qesh përsëri...
jeta merr kuptim të ri.
Dhe ti qesh e qesh pambarim
Me qeshjen tënde bota merr ndriçim
Errësirë rreth teje nuk ekziston
Dhe ti të qeshësh... të qeshësh... vazhdon.
Ti dashuron bashkë me jetën
Me lumturinë dhe të vërtetën
Dhe ti qesh...
sa frymë të kesh.
REFUZOJ T'I FLAS HËNËS
Refuzoj të flas me hënën
Ajo sonte e plotë nuk është
As mendimet s'i kam të qarta...
Dyshoj shumë nëse më kupton.
Refuzoj hënës t'i flas
Ajo sonte nuk ka shkëlqim
As fjalët nuk do të m'i dëgjojë.
Për mua sonte nuk gjen shoqëri.
Refuzoj hënën ta ftoj
Refuzoj shoqërinë e saj
Edhe ajo pas resh është strukur
Duket se mëri më mban.
Shoqëria e hënës për kohë të gjatë
Është shërim i shpirtit tim
Sonte refuzuam njëra-tjetrën
Do shijojmë pakëz vetmi...
Net të tjera do vijnë përsëri
Do takohemi gjithsesi
Na lidh fort shërimi i shpirtit
Bashkë do kemi përsëri shkëlqim.
LITAR SHPRESE
Kudo errësirë
Kudo.
Tunel i gjatë terri
Aty ku as ëndrrat nuk i sheh të ndritura.
Jetë pa frymë, frymë pa ajër...
Jam gjallë.
Strukur në at’ thellësi
Zhurmat e qetësisë janë vrastare
Marr frymë, s’e di si frymoj...
Sytë i mbyll... ndoshta shohë një shkëndijë
Një litar shprese lëshohet në thellësi.
Ta mbaj, a kam forcë?
Është litar shprese
Sërish dritën që ta shoh
Do ta mbaj fort
Do ta shtrëngoj pa mëshirë
Litarin e shpresës
Për një ditë më të mirë...
Përgatiti: Abdullah Troshupa