NURIDIN KUTELI, EMËR I NJOHUR NË OPOJË E MË GJËRË
Nuridin Kuteli është emër i njohur në Opojë e më gjerë. Ai u shqua në veprimtari kulturore qysh gjatë shkollës normale, si valltar, dhe instrumentist i dalluar në disa instrumente si: violinë, çifteli e sharki, bashkë me Hamzi Ymerin. Për tri vite rresht, ishte aktiv në kuadër të SHKA "Avni Rrustemi" nga Opoja, me të cilën morën pjesë në garat muzikore të SHKA-ve në nivel të Kosovës, që u mbajtën në Prizren në vitet 70-ta, ku zunë vendin e parë. Ndërsa në garën e fundit u diskualifikuan, për shkaqe politike, për shkak të këngës "HEROJTË E VIGUT", e kënduar nga Salajdin Tafili, me ç'rast edhe morën dënimin si grup artistike nga sistemi i asaj kohe. Pas vitit 1973, kur u punësua në Bresanë, vazhdoi me aktivitete shkollore dhe jashtë shkollës bashkë me Hamzi Ymerin, Sejran Ademin, Salajdin Tafilin etj. Ka vallëzuar në shumë ahengje private e festa shtetërore, ku ka lënë mbresa në interpretimin e valleve tradicionale opojane si dhe valle të tjera nga treva tjera. Gjithashtu në shumë raste ka përcjellur në instrumente Dalip Çengajn e Nexhat Qusajn.
Gjithashtu para tri vitesh u bë regjistrimi i valleve tradicionale të Opojës nga RTK, ku Nuridin Kuteli vallëzoi së bashku me Hamzi Ymerin e Refki Kollonin, (në organizim mori pjesë edhe Abaz Çengaj) dhe pastaj prezantuan edhe në Karnevalet Ilire në Tetovë e Bozovcë, ku vallëzuan po të njëjtit (Nuridin Kuteli, Hamzi Ymeri, Refki Kolloni) të cilëve ju bashkua edhe Gëzim Mehmeti. Nuridin Kuteli është në pension dhe ne i dëshirojmë shëndet dhe suksese në planet e jetës.