HIMNI I ALPEVE
Ju hijerënda, me ballin lart,
ku bora zbardh si fjalë e vjetër
fole shqiponjash, gjaku im i lashtë
sfidoni kohën si hëna natën e errët
Nga gjoksi juaj gufon një frymë legjende
Rrëfen histori të pathëna kurrë
Nga sytë e tu si një det smeraldi
Gjarpëron Valbona plotë dritë e nur
S’është veçse një rrjedhë kristalore,
Damar zemre në kraharorin e dheut
Shkrin dëborën si dhimbje dimërore
Bukuri e virgjër që zgjon shpirtin e fjetur
Ju, Alpet e shqipes, jeni shtylla të qiellit,
mbi supe mbani peshën e dritës
s’ju tremb stuhia, i buzëqeshni diellit
mbi kokë mbani kurorën e jetës
Më falni një grimcë nga madhështia e zemrës,
ta mbjell në shpirtin tim të shtegtuar
kur të humbas në mjegullën e kohës
të më ringjallet ëndrra si yll i flakëruar
Kur të më lodhet shpirti, hapin do ta ndal
atje ku qielli ju puth në sy,
Ku dielli derdhet si mbret i artë mbi valë,
Valbona, e dehur nga drita,
këndon himnin për ju në përjetësi!