Peter Thabit Jones (Shqipëroi Irma Kurti)

Peter Thabit Jones (Shqipëroi Irma Kurti)
PETER THABIT JONES
 
Peter Thabit Jones ka shkruar gjashtëmbëdhjetë libra, që përfshijnë Turneu i Dylan Thomas në Greenwich Village Nju Jork me Aeronwy Thomas. Ai dhe Aeronwy Thomas bënë një turne gjashtëjavor leximi poezish nëpër Amerikë në vitin 2008. Vepra e tij është përkthyer në mbi njëzet gjuhë. Ai ka marrë një sërë çmimesh, të cilat përfshijnë Çmimin Eric Gregory për Poezinë (Shoqëria e Autorëve, Mbretëria e Bashkuar), Çmimin e Fondit Letrar Mbretëror (MB), Çmimin e Këshillit të Arteve të Uellsit, Çmimin Ted Slade 2016 për Shërbimin ndaj Poezisë (MB), dhe Homeri 2017: Medalja Evropiane për Artin dhe Poezinë. Poema e tij "Kilvey Hil" është shkruar mbi xhamin e dritares në shkollën Saint Thomas, Swansea, Uells. Peter Thabit Jones është shkrimtar i përvitshëm gjatë sezonit veror në rezidencën Big Sur, Kaliforni, që nga viti 2010. Dy nga dramat e tij për skenën janë shfaqur në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe.
Libretet e tij për opera në bashkëpunim me kompozitoren luksemburgase Albena Petrovic
Vratchanska janë dhënë për herë të parë në Filarmoninë e Luksemburgut, Shtëpinë e Operës Kombëtare Stara Zagora, në Bullgari, Teatrin Kombëtar në Luksemburg dhe në Operën e Baletin e Sofjes në Bullgari. Informacione të mëtejshme:
 
 
E VEJA
(dedikuar Jill-it)
 
Diçka e ka braktisur atë dhe është më e madhe se pikëllimi i saj,
Më lënduese se gardëroba me veshjet e tij të vjetëruara.
 
Rubineti i banjës, mendon ajo, duhet sistemuar,
Pikat e tij ngjajnë si një e qarë në mendjen e saj.
 
Ajo drejton makinën për të cilën ai kujdesej si për të dashurën,
Kur shkon në orët ku mëson të ushtrojë mendimet e saj
 
Në poezi që, me sa duket, nuk kanë nevojë për rimë;
Ajo vesh për të diçka në ngjyrë të zezë vazhdimisht.
 
Fëmijët vijnë me probleme dhe për të kërkuar kredi
Dhe pyesin pse ajo është gjithmonë jashtë shtëpisë.
 
Komentet e tyre ia presin krahët fluturimit të saj në liri,
Ajo ngroh në mikrovalë një vakt të menduar veç për një.
 
Vihet në siklet me miqtë e saj, ata janë ende në çift,
Bisedat e tyre mbulojnë ç’mbetet pa thënë, sigurisht.
 
Disa ditë janë të rënda, sikur të ishte e sëmurë me grip,
Heshtja i kaplon mendjen: Çfarë të bëjë tani?
 
Ajo ndez televizorin dhe e fik menjëherë,
E merr celularin por nuk flet me askënd.
 
Burri i saj e shikon nga fotot e vendosura në mur
Që ai duke mallkuar i dha një shtresë boje dikur.
 
Duket aq i gjallë me buzëqeshjen e tij plot hir,
Teksa i mban dorën, sikur të ketë rënë në dashuri.
 
Ajo hap perdet dhe dallon diellin krejt papritur
Dhe shikon në lëndinë barin prej kohësh të rritur.
 
© 2024 Peter Thabit Jones
......................................................

Shqipëroi Irma Kurti