Intervistë me Barbaros İrdelmen (Intervistoi Irma Kurti)

Intervistë me Barbaros İrdelmen (Intervistoi Irma Kurti)
Intervistë me Barbaros İrdelmen (Intervistoi Irma Kurti)
 
Barbaros İrdelmen është një shkrimtar, poet, përkthyes dhe mjek në pension. Ai banon në Stamboll, të Turqisë. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji, festivale poezie dhe libra të botuar si në Turqi ashtu edhe jashtë saj. Ai është përgjegjës për poezinë për Gazetën Edebiyat Magazin, shkrimtar për revistën Kybele Kültür ve Sanat si dhe për Revistën letrare Pazartesi14 Neyya, anëtar bordi i revistës Kirpi Edebiyat ve Düşünce dhe anëtar i bordit redaktues për Revistën Papirüs. Ai është gjithashtu anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Turqisë. Barbaros İrdelmen ka botuar 19 libra me poezi. Me nismën e tij, Poezia pa kufij, e botuar në afro 40 gjuhë të ndryshme që nga viti 1984, filloi të botohet në turqisht duke filluar nga korriku i vitit 2024. Ai është anëtar i familjes së përkthyesve të Fondacionit ITHACA në Spanjë.
Poezitë e Barbaros İrdelmen-it fokusohen kryesisht tek njerëzit, jeta, realitetet shoqërore dhe emocionet. Në veprat e tij një vend të rëndësishëm zënë vlerat njerëzore, drejtësia, dashuria, humbjet, natyra dhe fragmente nga jeta. Ai shkruan edhe për ngjarjet shoqërore dhe marrëdhëniet njerëzore me një këndvështrim kritik. Në poezitë e tij ndihen qartë temat filozofike dhe ekzistenciale, veçanërisht vdekja, përkohshmëria e jetës dhe kërkimi i vetvetes. Përveç kësaj, ai ka shkruar poezi për fëmijërinë, nostalgjinë, dashurinë, shpresën dhe lidhjet njerëzore. Poeti trajton me delikatesë detajet e vogla, por domethënëse të jetës së përditshme, duke i lejuar lexuesit të krijojë një lidhje emocionale.
 
-Kur dhe si keni filluar të shkruani?
-Unë kam filluar të shkruaj në mënyrë të rregullt vonë. 7-8 vjet para daljes në pension, poetët Osman Serhad Erkekli dhe Serdar Koçak, të njohur në qarqet tona letrare, erdhën në studion time për t'u vizituar për probleme shëndetësore. Pas ekzaminimit, u tregova se herë pas here shkruaja poezi dhe se do të doja t’u lexoja disa nga poezitë e mia. Ata i dëgjuan me vëmendje, më thanë se i pëlqenin dhe më sugjeruan që t’i mblidhja ato në një vëllim. Poezitë e shkruara i përpilova dhe i dërgova në shtëpinë botuese. Ato u pëlqyen dhe, kështu në vitin 2016, u botua libri im i parë me poezi. Episodi që përjetova më motivoi dhe më nxiti të shkruaj më shumë. Gjatë 9 viteve të fundit poezitë e mia janë përfshirë në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit.
 
-Aktualisht, jeni një mjek në pension. A ka ndikuar profesioni juaj në artin e të shkruarit?
-Po, jam një mjek në pension, me një formim të specializuar dhe të vështirë shkencor. Gjatë karrierës sime kam pasur shumë pak kohë të lirë për shkak të punës, turneve të natës dhe ngarkesave në fundjavë, por gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj poezi. Vargjet e filozofit dhe poetit iranian Omar Khayyam më nxitën ta dua poezinë qysh gjatë viteve të universitetit. Përpara se të filloja të shkruaja rregullisht, në bibliotekën time mbaja me dhjetëra libra me poezi nga poetë vendas dhe të huaj. Ndonjëherë miqtë dhe familja ime mblidheshin në shtëpi dhe organizonin mbrëmje leximi. Poezia ishte një shpërqendrim i lumtur dhe çlodhës për mua në atë kohë. Gjatë viteve të punës dhe pothuajse deri sa dola në pension, shkruaja një apo dy poezi në vit dhe i vendosja midis faqeve të librave të mi.
 
-Pse ju duket interesante letërsia dhe veçanërisht poezia? Mund të na tregoni sesi e kuptoni ju letërsinë dhe poezinë në përgjithësi?
-Për mua, poezi do të thotë “bukuri”. Kur përshkruajmë ndonjë bukuri, ne themi, "ashtu si poezia" ose kërkojmë që një poet të na tregojë për të. Poezia është forma e fundit e bukurisë, e krijimtarisë. Shpërthimi i papritur i emocioneve tona është çudia e poezisë. Poezia është një mënyrë për të shprehur ndjenjat dhe mendimet në formë letrare dhe shpërfaq mendimet dhe reflektimet e brendshme të poetit. Ashtu si dashuria është kulmi i të gjitha ndjenjave, poezia është kulmi i letërsisë. Aspekti më tërheqës i poezisë është se ajo udhëton përtej kohës dhe kufijve. Me fjalë mund të kapërcejmë kontinente, oqeane, epoka të ndryshme dhe mendoj se ato duhet të takohen me gjuhët fqinje duke promovuar poezinë kombëtare. Më mungon mënyra sesi njerëzit ndajnë mendimet e tyre dhe i bashkojnë në dashuri dhe paqe përmes poezive shumëgjuhëshe.
 
-A mund të na tregoni diçka për përvojën tuaj si përkthyes?
-Gjatë viteve shkollore, gjuha e huaj që kam studiuar në shkollë dhe në Universitetin e mjekësisë ishte kryesisht anglishtja. Pas diplomimit, unë fillova të punoj në Gjermaninë Perëndimore; në atë kohë ekzistonte Gjermania Lindore dhe Perëndimore. Kështu, përfundova atje specializimin që zgjati tetë vjet; niveli i përvetësimit të gjermanishtes ia kaloi gjuhës angleze. Gjatë karrierës sime kam shkruar, përkthyer dhe përpiluar artikuj të ndryshëm profesionalë në gjuhët vendase dhe të huaja. Por përkthimi im i parë serioz ishte në vitin 1996, kur përktheva në gjuhën tonë një libër mjekësor gjerman me 630 faqe, i cili mbeti për vite me radhë në xhepat apo në tavolinat e studentëve të mjekësisë si dhe të stazhierëve. Përkthimi i poezisë ndryshon nga përkthimi i prozës, ndaj për vite me radhë hezitoja të përktheja poezi nga frika se s’do të mund të pasqyroja plotësisht ndjenjat apo mesazhin e poetit. Kur vendosa të botoj dy librat e mi në turqisht dhe anglisht, i kërkova mikut tim poet Mesut Şenol t’mi përkthente poezitë. Më pas fillova të provoja të përktheja dhe të ndaja poezitë e mia në platformat digjitale letrare. Disa nga lexuesit më thanë se përkthimet e mia ishin shumë të arrira dhe madje më të mira sesa vetë poezia origjinale. Kështu, mora guximin dhe nisa të punoj në këtë fushë. Vitet e fundit i kam dërguar poezitë e mia dygjuhëshe në Revistën Digjitale Mujore OPA (Our Poetry Archive) dhe ato janë vlerësuar dhe botuar. Poezitë e mia tanimë janë përfshirë në antologji të ndryshme që botohen çdo vit.
Vitin e kaluar, takimi me poetin flamand Germain Droogenbroodt më ripërtëriu motivimin. U ftova të bëj pjesë në familjen e përkthyesve "Poezia pa kufij", aktivitet i Fondacionit Letrar Itaka, të cilin ai e themeloi në Spanjë në vitin 1984. Unë përkthej çdo muaj dy nga poezitë më të bukura nga e gjithë bota, të përzgjedhura nga ky Fondacion dhe i botoj në turqisht. Së fundi, përktheva gjithashtu librin "Rruga e qenies" të poetit Germain Droogenbroodt dhe Turqia u bë vendi i 31-të ku janë botuar librat e tij. Në emër të dashamirësve të poezisë turke ia dërgova veprat të shoqëruara me falënderimet tona.
Ju jeni përgjegjës i poezisë dhe anëtar i redaksive së revistave dhe gazetave të ndryshme. Çfarë kanë të përbashkët pjesa më e madhe e poetëve?
Sot, poetët shkruajnë në shumë drejtime dhe në shumë zhanre. Poetët i ndaj në katër grupe, ashtu si poeti i famshëm turk Necip Fazıl Kısakürek. Sipas meje, çdo poezi ka një ide kryesore dhe një zbukurim.
Poezitë me një ide të bukur kryesore dhe zbukurim të plotë janë poezi që janë shkruar dhe do të shkruhen nga poetët mjeshtër të klasit të parë që kanë hyrë në historinë e letërsisë.
Poetët që përpiqen të jenë të mirë janë ata që shkruajnë poezi me një ide kryesore dhe me pak zbukurime dhe mund t'i quajmë poetë të klasit të dytë.
Në ditët e sotme po shkruhen gjithnjë e me shumë poezi te zbukuruara pa ide kryesore dhe janë ato që përbëjnë shumicën dhe që mund t'i quajmë poetë të klasit të tretë.
Ka edhe poetë të klasit të katërt, që shkruajnë poezi pa ide kryesore dhe pa zbukurime. Mendoj se kjo mund të jetë përgjigja për pyetjen tuaj.
 
-Cili është efekti i një poezie të bukur tek ju?
-Poezia më bën për vete në mënyra të ndryshme: herë lë brenda meje një dhembje, herë ndez një rreze shprese, herë krijon jehonë të thellë brenda meje, herë një metaforë më hap dyer të reja në mendje. Unë humbas në një rresht dhe zhytem në kujtimet e mia, në shprehjen më të pastër të emocioneve, rrjedhën e fjalëve që herë godasin si muzikë, herë si gur i fortë... Këto janë gjërat që më prekin. Më së shumti admiroj aftësinë e poetit për të krijuar një botë të madhe me pak fjalë.
 
-Çfarë përpiqeni t'u përcillni lexuesve me poezitë tuaja?
-Kam vënë re që njerëzit po largohen nga poezia dhe për fat të keq, ka pak nga ata që lexojnë tregime dhe romane. Në këto toka ka pasur dhjetëra shekuj luftërash gjatë periudhës romake, e më vonë, gjatë periudhës osmane “Letërsia Divane e Pallatit” nuk u largua nga pallati dhe nuk e përqafoi popullin. Megjithatë, poetët tanë të talentuar popullorë dhe folklori janë shumë të avancuar tek ne. Në periudhën republikane, rregulloret dhe rregullat e rrepta dhe të pandryshueshme të Letërsisë në sistemin arsimor i larguan njerëzit nga poezia dhe letërsia. Lëvizja e Parë e Re, e cila filloi me poetin Orhan Veli Kınık dhe miqtë e tij, kërkonte thjeshtësinë si reagim ndaj Letërsisë Divane dhe më pas Lëvizja e Dytë e Re, e ndikuar nga Perëndimi, krijoi një tendencë të re në poezinë turke. Sot, Poezia Turke është në kërkim të vetvetes.
Koha po bëhet gjithnjë e më e çmuar, askush nuk e ka më luksin ta kalojë kohën duke lexuar tekste të gjata. Për mendimin tim, poezia duhet të jetë e lehtë për t'u kuptuar edhe nga një qytetar i thjeshtë që s’është i interesuar për letërsinë. Nëse ai e kupton poezinë kur e lexon, mendoj se mund t'i tërheqë vëmendjen dhe ta bëjë atë ta dashurojë përsëri. Personalisht preferoj të shkruaj poezi të shkurtra që kanë një ide dhe histori kryesore, që nuk rimojnë, por përdorin një gjuhë të thjeshtë me një rrjedhë akustike.
 
-Ndonjë këshillë për poetët që duan t'i përkushtohen shkrimit?
-Besoj se, nëse brezat e rinj e duan letërsinë dhe poezinë, me edukimin që marrin dhe zgjuarsinë e tyre, do të prodhojnë poezi shumë më cilësore.
 
Intervistoi Irma Kurti