Poezi nga Michael Lee Johnson (Përktheu Irma Kurti)
NËSE ARRIJ ATJE
Nëse arrij atje përpara teje,
kujto hambarin e vjetër të kuq dhe të braktisur
ku rrinim ne të dy, drithërat e thekrës,
gishtat e përdorur si lugë,
vezët e pulës të vjedhura nga kafazi i pulave,
mollët e kalbura, të rrëzuara nga pemishtet aty pranë,
dhe grurin e mbetur që e shkelnim me zemërim
derisa shndërrohej në miell-
tokat fushore, qiejt blu të Indianës, fushat e misrit,
kallinjtë e artë dhe të gjelbër që korrjen prisnin.
Brenda meje ka mbetur një djalë nga Indiana, i dëbuar nga lufta.
Do t’më gjesh në kashtën e hambarit të fermerit Brown,
Me disa harabela, dallëndyshe dhe një buf kishe.
Jam kapur pas kujtimeve dhe i humba gjurmët e tua.
Me kalimin e moshës, gjithçka është në pistën e garave tani-
por unë s’mundem të ec, i përulur nga bastuni, ecësi im.
As Jezusi, duke kruar ballin e Tij,
çfarë të bëjë me mua nuk e di.
Ai e dëgjon emrin tënd. Ki kujdes, Caroline.
Pastaj radhën e ke ti. Ylberet, retë,
stuhitë po organizohen sërish.
Ai po pret në krye të shkallëve.
Duke hedhur zaret, për të dhënë një gjykim,
teksa pret përgjigjen tënde, përgjigjen e Tij.
Përgatiti për botim Irma Kurti