Zanë Mali - Cikël poetik (Përgatiti Ismail Ismaili)

Zanë Mali - Cikël poetik (Përgatiti Ismail Ismaili)
ZANË MALI
 
Zanë Mali u lind në fshatin Ballancë ku kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në Gjilan. Studimet i përfundoi në Fakultetin juridik pranë Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Me poezi merret kaherë dhe ato u botuan në revista dhe gazeta të ndryshme letrare në Kosovë. Poetja Zanë shquhet edhe si vullnetare për krijimin e bibliotekave publike dhe shkollore në fshatrat e ndryshme të Kosovës.
STINA QË MË MORI NË PREHËR
 
Stina që më mori
në prehër
fill pas lindjes
ishte pranverë
 
Për ta pikturuar botën
blerake
mbi qerpikun tim
erdhi
 
Nga prania e saj
ringjallen ëndrrat
erërat i trazojnë retë
 
Në arat e mia të
gjelbëruara me grurë
përroskat e gëlltisin
borën e munguar
shiun e përpijnë
plasaritjet e thelluara
 
Kroi me ujin e njelmët
brufullon
për t’mos ndjerë etje
Zanat dhe unë
 
E fryma jote drithëron
poret e trupit tim,
njëjtë si majat e gishtave fund shpinën
time
edhe kur më mungon
 
SHI I STINËS SIME
 
Më sjell pakëz
ngrohtësi o shi i stinës
sime
poret e dashurisë së
munguar
përkëdhelmi
me lëngun magjik
qelizat ndijore
mbushmi
të gjallëroj një copëz
jetë
kjo qenia ime neutrale
gjethet e vyshkura me
freski vjeshte
i rinoi
Lule meshës aromë
dehëse fali
të zgjohet nesër me vesën e mëngjesit 
 
LEHTAS VIJ …
 
Më mbaj në pëllëmbën
tënde
si gjethin më të bukur
të stinës që erdhi
 
Mëngjesi vjeshtor
përfton poret e tyre të
krisura
me valët e erës
 
Ato fluturojnë drejt
hapësirave të lira
njëjtë si fluturat
në barkun tënd
të harlisura nga dashuria
 
Lehtas vij n’ato
hapësira
për të ndezur pa
zhurmë
atë që ma do shpirti
........................................................

Përgatiti Ismail Ismaili