GRATË NË KATEDËR NË QENDËR TË KAMPIDOLIOS: ÇMIME, REFLEKTIME DHE KRITIKË POLITIKE MES FEMINIZMIT AUTENTIK DHE AGJENDËS SË OKB-së - 2030
Nga: Antonietta Micali
-Më 5 shtator 2025, në Sallën e Protomotekës - Romë, u zhvillua eventi “Gratë në Katedër”, i lidhur me edicionin e XXV të Çmimit Ndërkombëtar Kartagjena 2.0. Një ditë kjo, e cila bashkoi festimin dhe reflektimin, duke vlerësuar figura të spikatura nga bota kulturore, shkencore dhe sociale, por gjithashtu duke dërguar mesazhe të qarta drejt politikës. Një ngjarje me frymë ndërkombëtare që vendos në qendër gjeniun femëror, duke festuar kulturën, kërkimin dhe barazinë gjinore.
-Iniciativa u organizua nga Akademia Kulturore Ndërkombëtare Kartagjena 2.0, Akademia Tiberina, Universiteti Guglielmo Marconi dhe Katedra e Grave, me mbështetjen kulturore të Wikipoesia-s dhe Studio 107 - Milano.
-Protokollin e hapi Kalorësi i Legjionit të Artë, Dr. Franco Antonio Pinardi, President i Akademisë Tiberina, i cili pasi falënderoi institucionet e qytetit, të përfaqësuara nga Deputeti Fabrizio Santori, vendosi të ironizojë mbi kujtesën e shkurtër të politikës:
«Gjatë periudhës elektorale kujtohen të gjithë, mirëpriten të gjithë dhe bëhen shumë premtime. Më pas, gjatë rrugës legjislative, shumë shpesh ata që kanë dhënë mbështetje, harrohen».
Një kritikë elegante por e mprehtë kjo, e cila i dha menjëherë ton nxitës ditës.
-Përkrah tij përshëndetjet institucionale i dhanë: Admirali Rinaldo Veri, Dr. Alessandro Della Posta, Dr. Marco Belli dhe Dr. Renato Ongania, duke theksuar rëndësinë e dialogut mes kulturës dhe institucioneve.
-Çmimi prestigjioz “Marie Curie” iu dha grave që mishërojnë përkushtim dhe përsosmëri: shkrimtarja Alessandra D’Egidio, Dr. Sofia Mezzasalma, Princesha Elettra Marconi (e përfaqësuar nga princi Guglielmo Giovanelli Marconi, nipi i shpikësit të famshëm Guglielmo Marconi), Dr. Laura Mazza, Dr. Rossana Lanati, Prof. Orietta Muzzi dhe gazetarja Ilaria Solazzo.

-Ngjarja u nderua edhe nga prania e Sh.S. Henri Okemba, Ambasador i Republikës së Kongos në Itali. Jo vetëm diplomat, por edhe shkrimtar, autor i veprave, si: «L’Afrika Social-démocratie» dhe «Consolidation de la conscience nationale», Okemba solli me vete dy pamjet e njeriut të shtetit dhe intelektualit, duke bashkuar diplomacinë me kulturën në një zë të vetëm.
-Me një gjest novator, u nderuan edhe: kampioni paraolimpik Komandant Stefano Gori dhe inxhinieri Igor Ukman, për të dëshmuar se barazia është përfshirje, jo përjashtim.
-Çmimi për Karrierën “Kartagjena 2.0” iu dha vetë Deputetit Fabrizio Santori, ndërsa Çmimi për Karrierën “G. Belli – F. Lami” nderoi Presidentin e Akademisë Kulturore Ndërkombëtare "Kartagjena 2.0."
-Ndërhyrjet u mbajtën nga Prof. Luigi Rossi, Prof. Franca De Santis, Dr. Laura Mazza, Prof. Tommaso Valentini, Prof. Francesco Scolaro dhe Dr. Sabrina Morelli, nën moderimin e kujdesshëm të Prof. Antonietta Micali.
-Një nga temat më të diskutuara ishte kufiri mes feminizmit autentik dhe ekstremizmit radikal femëror. “Katedra e Grave” theksoi se synon të promovojë një feminizëm që nuk ngre mure, por ndërton ura. Jo përballje, jo luftë gjinore, pasi forca e vërtetë qëndron në gjithë përfshirje.-
Projekti është në përputhje të plotë me objektivat e Agjendës së OKB-së - 2030, veçanërisht objektivin 5: barazia gjinore.
-Pa drejtësi mes burrave dhe grave nuk ka të ardhme të qëndrueshme. Mesazhi i dhënë nga Kampidoglio është i qartë: barazia nuk është një favor, por një e drejtë që duhet ushtruar.
-Çmimi Ndërkombëtar Kartagjena, lindi i frymëzuar nga madhështia dhe kompleksiteti i Kartagjenës së lashtë, qytet fenikas që ishte rivale e Romës, por edhe një zemër që rrihte fort për kulturën, tregtinë dhe shkëmbimet në Mesdhe. Të mbash gjallë këtë emër do të thotë të përçosh atë trashëgimi dialogu dhe takimi mes popujve, duke e projektuar në të tashmen si simbol i hapjes kulturore.
-Ngjarja u mbyll me duartrokitje dhe nderime, por kuptimi më i thellë mbetet pezull si një pyetje: a do të dijë politika t’i kujtojë premtimet e djeshme edhe nesër?
Unë po e mbyll duke pohuar se:
«Katedra e Grave nuk është një fron, por është një përgjegjësi. Pa barazi të plotë nuk ka të ardhme. Të gjithë kemi një kokë, dy duar, dy këmbë dhe një zemër për të ndryshuar jetën tonë, pa u varur nga të tjerët. Pas maskës së mbrojtjes shpesh fshihen zinxhirë, ankthe që kthehen në kafaze. Nga aty lindin situatat ekstreme. Dinjiteti nuk dhurohet dhe nuk shkëmbehet, nuk ka gjini, por: jetohet, mbrohet, kërkohet.»
Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare