Nga aktiviteti artistik
EMOCIONET TONA DHE TË SHPREHURIT E TYRE NËPËRMJET ARTIT
Kohë më parë (më 18. 03. 2023), isha i ftuar nga një institucion për një takim socio-artistik, në Bernë (Zvicër). Në vazhdim po e jap përmbajtjen e temës, që e shtrova dhe e trajtova, në bashkëbisedim me pjesëmarrëset e atij takimi.
Secili nga ne kemi ndjesitë, emocionet dhe percepcionet tona ndaj botës dhe realitetit në të cilin jetojmë. Dhe të gjithë, pa përjashtim, kemi dëshirë e nevojë që ato, në një mënyrë apo në një tjetër, t`i shprehim, t`i nxjerrim nga vetja jonë dhe t`i bëjmë publike. Prandaj, ne vazhdimisht jemi në kërkim të mjetit dhe të mënyrës më të mirë për t`i shprehur dhe për t`i bërë publike ato. Mbase mënyra më e mirë dhe më e pranueshme (edhe për të tjerët) për t`i bartur, për t`ì shprehur dhe për t`i përcjellur tek publiku emocionet tona, janë poezia, tregimi, letërsia përgjithësisht. Pastaj janë piktura, skulptura, muzika, teatri dhe të gjitha fushat e tjera të artit. Kjo edhe është arsyeja kryesore pse shkrimtarët shkruajnë vazhdimisht, pse artistët krijojnë dhe ne (publiku) lexojmë poezi, tregime, romane. Ne shkojmë në teatër. Vizitojmë galeri arti. Shohim piktura dhe skulptura dhe magjepsemi para tyre. Të gjitha këto, ne i bëjmë ngase paraprakisht e dimë se çdo vepër arti, çdo rrëfim a shfaqje, çdo libër është një emocion, një përjetim, një histori më vete. Sa e sa herë na ka ndodhur që të shohim spektatorë duke lëshuar sallat e kinemave të përlotur nga emocionet, që ua ka dhënë ngjarja e një filmi. Jo rrallë na ka ndodhur të shohim publik duke lotuar tek po përcillte një shfaqje teatri. Poashtu, na ka rastisur të shohim derdhje lotësh në një sallë opere apo në një koncert të muzikës klasike. Na ka ndodhur të qëndrojmë me orë të tëra në një ekspozitë arti dhe të mahnitemi me mënyrën e të shprehurit të emocioneve, të cilën e ka realizuar artisti. Dhe të gjitha këto na ndodhin ngase, në këtë mënyrë, ne bëhemi pjesë e një emocioni, e një rrëfimi apo e një përjetimi të veçantë. Bëhemi pjesë e një ngjarjeje a historie jete, e cila nga një përjetim individual, duke na pushtuar të gjithëve, shndërrohet në një përjetim emocional kolektiv. Ky është efekti i magjisë së artit dhe i të shprehurit të emocioneve tona nëpërmjet tij.