DILDORA XOJYOZOVA- UZBEKISTAN
Dildora Xojyozova është një shkrimtare e re dhe studente e gjeografisë nga Uzbekistani. Ajo aktualisht po ndjek studimet në Universitetin Shtetëror të Urgençit. Krahas angazhimeve akademike, ajo merr pjesë aktive në jetën studentore dhe në gara të ndryshme intelektuale. Është e apasionuar pas letërsisë, natyrës dhe emocioneve njerëzore, të cilat shpesh frymëzojnë shkrimet e saj. Veprat e saj pasqyrojnë tema si forca e brendshme, drejtësia dhe lidhja mes ëndrrave dhe realitetit.
NJË FORCË E QETË
Unë nuk jam bërë prej bubullime, as gdhendur nga flakë që shndrit, nuk hyj në dhoma si stuhi që kërkojnë emrin tim të thërrasë çdo zë që ngrihet. Përkundrazi, vij si heshtje që ngadalë në ajër shtrihet, një prani e butë, por e qëndrueshme, që dëshmon se aty kam qenë dikur, pa u ndier.
Jeta nuk më ka falur gjithnjë një rrugë të lehtë për të kaluar, ka pasur net kur mësova më shumë nga heshtja sesa nga fjala e shqiptuar. Kam rënë në hije të thella ku askush s’mund të më shihte dot, dhe copat e mia të thyera i qepa vetë, me dinjitet të plotë.
Dhe ndërsa bota vazhdon të masë sa fort një shpirt mund të dëgjohet, unë mësova se mbijetesa e vërtetë nuk është në atë që shihet e që vërehet. Ajo është të ngrihesh çdo mëngjes pa kërkuar liri si dhuratë, thjesht të zgjedhësh të ecësh përpara kur gjithçka tjetër thotë “ndal”.
Prandaj, nëse nuk shkëlqej me zhurmë si ata që dritën rrëmbejnë pa mëshirë, kujto: edhe prush i vogël i mbijeton natës më të errët, me frymë të qetë e të mirë.
SHUMË VONË PËR DREJTËSI
Ata erdhën kur pluhuri ishte ulur, kur jehonat kishin humbur zërin, kur e vërteta ishte rishkruar dhe thellë nën tokë varrosur, pa dritën e saj të vjetër. Mbanin fjalë si “drejtësi” në letra të pastra, të bardha e të ftohta, por rrëfimi që lexonin nuk ishte ai që kishte qenë dikur në botë.
Sepse drejtësia duhet të vijë herët, jo kur ne tashmë kemi ikur larg, jo t’i flasë heshtjes së rëndë pasi gjithçka është kthyer në plagë. Ku ishin zërat që ngrihen kur dhimbja ende jetonte në ne? Kur dyert mbylleshin përgjithmonë dhe shpresat nuk mund të mbijetonin më?
Tani vendimet bien si pika shiu mbi çati që janë tharë e shuar, shumë vonë për të ujitur kopshtin ku ëndrrat e thyera ende flenë të ngrata. E megjithatë ne vazhdojmë të pyesim nëse drejtësia dëgjon thirrjen tonë, apo vjen vetëm në kapituj kur asgjë më nuk ndien, asgjë s’jeton.
Nëse e vërteta duhet të presë fundin që më në fund të marrë formë e kuptim, atëherë drejtësia është një hije që kurrë nuk ecën në kohën e duhur, në ritmin e saj të lindur.
MES ËNDRRAVE DHE REALITETIT
Ekziston një hapësirë mes meje
dhe njeriut që mund të jem,
një urë e brishtë mallëngjimi
që shtrihet pa mbarim.
Nga njëra anë qëndron e tashmja,
e papërsosur, e pasigurt,
plot pyetje pa përgjigje
që asnjë siguri s’i shëron dot.
Nga ana tjetër është heshtja
ku banojnë të gjitha ëndrrat e mia,
jo plotësisht të formuara a të premtuara,
por duke pritur thellë brenda meje.
Unë eci mbi atë vijë çdo mëngjes
me shpresë dhe hapa që dridhen,
ndonjëherë lëviz me guxim,
ndonjëherë pranoj humbjen pa fjalë.
Bota nuk bën vend
për të gjitha versionet që mbajmë brenda,
ajo sheh vetëm përfundimin
dhe kurrë nuk ndien peshën e rrugës.
Por kam mësuar se rritja
nuk është një vijë e drejtë,
ajo përkulet në dyshim e dështim
para se të gjejë drejtimin e vet.
Kështu vazhdoj të eci përpara
nëpër atë që ende nuk e njoh,
sepse edhe rrugët e pasigurta
të mësojnë si të rritesh.
Dhe ndoshta një ditë, butësisht,
do të mbërrij e do të kuptoj
se gjithçka që po bëhesha
ka qenë gjithmonë pjesë e imja.
(Kujdesi e perkthimi: Rifat Ismaili)