Brahim (Ibish) Avdyli

Brahim (Ibish) Avdyli
DIAKRONIA E DHEMBJES ÇLIRIMTARE
- Me 5 mars- Dita e Dëshmorëve.
 
1.
Në diakroninë e dhembjeve tona
i djegim zemrat e fjalëve të pathëna sipas ditëve
ulur këmbëkryq me Bacën Adem
në sofren e madhe të Diellit...
 
2.
Nga një hurpë helmi e ngrehim gotave të shqetësimit
fëmijëria e UÇK-së do të rritej nëpër hijen e bushtrave
nën grushtat e vdekjeve të përditshme,
 
frymëmarrjen e paktë
me gungat e përplasjeve dhe të ndrydhjeve
fishkullimat e pandalura të armiqve tanë...
 
3.
Ende na priste në rrënjë të Drenasit
bacë Shaban Jashari
që t’ia japim shenjën e fjalës së pazakonshme Drenicës,
 
të ngritët ajo
mbi shalën e kalit të shfrimit të burrërisë
 
përtej kohërave dhe përtej dhunës
në logun e madh të lirisë...
 
4.
Erdhi me lot zemre Komandant Adem Jashari
t’ia plaste në ballë fishekët e zjarrit
dhunës së Lubisë
derisa referatet e mia
e prisnin ardhjen e kësaj dite të bardhë,
 
vështirë ishte që t’i zotoheshin
të gjithë djemtë e flakës së lirisë
derisa flisnim me fakte
prej Maleve të Shkelzenit e deri në Preshevë-
 
theror kërkoheshin që të jenë
fëmijët, vajzat, gratë e pleqtë,
 
e diakronia ia çante trupin sinkronisë së tradhëtisë
ora e lirisë ia zbrazte në çdo skutë plumbat e fjalëve tona
me pesë mars u ngrit përfundimisht Epopeja e UÇK-së!...
 
5.
A e sheh o Baca Adem Demaçi,
në këtë sallë diellore
janë mbledhur të gjithë djemtë e vendosur
do ta mbrojnë përgjithmonë Diellin,
ne, po e ngrehim nga një gotë të rrezeve tuaja!