Xhevat Limani - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Xhevat Limani - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
NË MES TË KAMPIT U IMPROVIZUA NJË SHFAQJE PËR FËMIJË
 
Xhevat Limani
 
Ishim duke bërë prova në Teatrin Shqiptar në Shkup. Një telefonatë nga ministri i Informatave Rexhep Zllatku më ndryshoi orarin e provave dhe të shfaqjeve që kishim në repertoar. U takuam para derës së ministrisë përkatëse të Informacionit. Më luti që të shoqëroja dy personalitete të kinematografisë botërore: aktoren angleze Vanesa Redgrave dhe yllin që luante James Bondin, të famshmin Rooger Moore.
Ishte kënaqësi e veçantë dhe privilegj rasti i ofruar. Kishin ardhur si Ambadadorë të UNICEF-it për të vizituar kampet e refugjatëve në Stenkovec dhe Çegran. Misioni i tyre kishte karakter human, veçmas suporti për fëmijët e traumatizuar nga lufta e ndyrë e barbarëve serbë. Ministri Zllatku më ofroi në dispozicion edhe makinën e tij zyrtare bashkë me shoferin, për ta pasur më lehtë futjen nëpër kampet e refugjatëve.
Vanesën dhe Rogerin i takova para restoranit “Uranija” përballë stadiumit të Vardarit. Ata kishin një xhip Range Rover të bardhë me regjistrim, tabela dhe siglat UNICEF. Plani ishte që të luanin shfaqje për fëmijët e traumatizuar, për t'ua ngrohur sadopak zemrat e lënduara dhe plot pezëm e dëshpërim.
Unë komunikoja frëngjisht me Vanesën. Pasi takuam Enver Petrovcin dhe Fatos Berishën si dhe një vajzë përkthyese, Hedona u nisëm për në Stenkovec, ku në mes të kampit u improvizua një
shfaqje për fëmijë. Unë mundohesha t'ua mësoja shprehjet:
“Mirëdita, faleminderit fëmijë, Ju duam shumë. Lufta është marrëzi, jeta duhet jetuar me shpresë dhe optimizëm...” etj…
… Pas nja gjysmë ore ecejakesh me xhipin gjerman dikur u gjet Sadri Guri. Vanesa u gëzua shumë. U futëm në tendën e tyre bashkë me përkthyesen. Filloi dialogu. Ishte një komunikim plot emocione dramatike. Dikur Vanesa e përlotur më luti që ta leja në kamp të qëndronte një natë bashkë me përkthyesen. Dhe ashtu u bë. Unë u ktheva bashkë me shoferin e ministrit Zllatku me shpresë që të nesërme të ktheheshim ta merrnim Vanesëm.
Rruga nga Çegrani deri në Shkup më kaloi në përfytyrim imazhesh e fytyrash të lodhura dhe të trishtuara nga marrëzia dhe
barbaria serbe.
Të nesërmen pasi morëm Vanesën nga kampi i Çegranit u kthyem në Shkup,…