Fehmi Ajvazi - Cikël poetik

Fehmi Ajvazi - Cikël poetik
CIKËL POETIK NGA FEHMI AJVAZI
 
Fehmi Ajvazi, lindi në vitit 1962, në Gjilan, (Kosovë). Shkollën fillore e mbaroi në Zhegër, kurse të mesmen (drejtimi i Kulturologjisë), në Gjilan. Ka absolvuar në Fakultetin Juridik, ndërsa ka mbaruar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës. Fehmi Ajvazi, ka filluar që herët të merret me krijimtari letrare, kulturore etj. 
Në vitin 1988, filloi punën si gazetar ku e ushtroi profesionin deri në vitin 2008.
Fehmi Ajvazi, merret edhe me publicistikë, me hulumtime e studime shoqërore, historike, dokumentare etj. Ka botuar 17 libra në fusha të ndryshme.  
Fehmi ka qenë gjithashtu Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2008 - 2009). Aktualisht, punon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe jeton në Prishtinë.
 
STRUKTURA E SHPIRTIT
 
Atje ku ne s’jemi është shpirti
Në shenja kaotike për shpëtim
Në rima drite që vdesin ngadalë
Për jetën tonë në riciklim
Për dritën tonë në vërbim
Atje ku ne s’jemi është shpirti
Në kujtime prej sekondash
Në gjurmë prej ëndrrash e gjaku
Ti shkon e vjen mes dritës
Strukturë fryme hyjnore
Mbi ulërima e vetëtima në vlim
As t’i se sheh as unë as kërkush
Shpirtin e amshueshëm
Që s’na braktisë kurrë
Deri në fund të botës…
 
CREDENDO VIDES
(Ai që beson dhe sheh...)
 
Kjo është udha që njohim
Të gjallë dhe të vdekur
Udha e dheut nën këmbë
Drita e gjëllimit në sy
Mes frymës dhe yjeve
Rrënja e drurit të bungut
Nuk lindë në asaflt
Tej diellit mbi Nazaret
Erdhën breza të gjallë
Në ëndrra e makthe mbyllur
Duke u endur vërdallë
Rruga e dhimbshme e njeriut
Deri te meditimi vezullues
Kalon nëpër labirinthet e ferrit
Po dielli i jetës nuk tretet
Përgjason me shtjellën e lirisë
Me sferat e shenjtërisë
Amen…
 
LETËR ANA FRANKUT
 
E dashur: librin tënd e kam lexuar
Gjysmë shekulli më vonë
Mes dritës së mekur të robërisë
Aty isha dhe unë - diku afër teje
Duke i dëgjuar lutjet e tua
Duke e mashtruar vdekjen
A mashtrohet vdekja e dashur…?
Prandaj isha në ferr dhe unë
Kisha frikë si ti, kisha dhimbje si ti
E dashur: ende kam shumë drojë
Se dhimbja nuk na ka braktisur
Se liria përgjaket e gurëzohet shpesh
Sa herë vjen mes nesh
Mbretëria e të marrëve…
 
Përgatiti: Angela Kosta Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese