MATË HASHANI
1.
Kur koha kërkoi, u ndez kushtrimi,
Bogdani thirri vullnetarët për liri,
Nga Nishi në Kosovë u bë grupimi,
Në malet shqiptare u ngrit trimëri.
2.
Në Gjergjec u rrit një burrë me besë,
Matë Hashani, kapedan ndër male,
Mblodhi trimat rreth vetes me ftesë,
Me Austrinë, kundër ordisë osmane.
3.
Me Pjetër Bogdanin vendim u mor,
Për tokën shqiptare, për nder e liri,
Ai me fjalë, ky me shpatë në dorë,
Që të dy iu dhanë forcë e trimëri.
4.
Nga Vranja në Nish njihte çdo shteg,
Çdo gur e mal, çdo përrua në pyje,
Me trimat e tij godiste në çdo breg,
Zhdukej me shpejtësi në male si hije.
5.
Në Nish e kapën Matën në një luftim,
Ia lidhën duart, kur turma u ngjesh,
Përpara njerëzve i dhanë atij dënim,
Ia vunë prangat, për ta varur n’shesh.
6.
Ishte njollë e zezë për besën e fisin,
Kapedani t’i kapet e të zihet rob,
Turp për kombin, nderin dhe plisin,
Për gjithë malësinë do të ishte kob.
7.
Atë çast kur litarin n’qafë ia vunë,
U dëgjua një krismë si bubullimë,
Kalorësit si rrufe sheshin e zunë,
Dhe vendi u mbush me flakë e tym.
8.
U hodhën mbi rojet porsi bisha mali,
Litarin shpejt ia këputën me shpatë,
Matën morën mbi kuaj, kush s’i ndali,
Tym e mjegull ikën, si era nëpër natë.
9.
Në Priboc, mbi Kevë u fsheh në mal,
Në shpellë ku s’gjente armiku gjurmë,
Shtatë fshatra i çonin bukë pa fjalë,
Dhe mali e mbante të lirë pa zhurmë.
10.
Gjergjeci, Feraj, Suharna i dha besë,
Zarbica, Priboci, Çarri i rrinë pranë,
Ramabuça i dha bukë, i dha shpresë,
Bashkë e ruajtën trimin nga çdo anë.
11.
Dushku i Matës dëshmon në mal,
Me shpellën pranë, ku fshihej trimi,
Heroin tonë askush s’mundi ta ndal,
Emrin e tij gjithmonë e ruan kujtimi.
12.
Nuk vdiq Matë Hashani nën litar,
As prangat s’ia mbyllën kurrë lirinë,
Në mal mbeti i lirë, kreshnik shqiptar,
Brezat përherë i këndojnë trimërinë.
Lazim Miftari

Foto e imagjinuar dhe propozim që kjo shtatore të vendoset në kodër të Pribocit, afër Dushkut të Matës. Fshati Priboc gjendet në Malësinë e Hashanisë, Komuna e Bujanocit.
............................................
GURI I DARDANISË
1.
U ula i lodhur mbi një guri në Feraj,
Hodha shekujt pas, në histori t'i ndaj,
Ia pashë rrudhat, të forta si bjeshka,
Ku heshtja e tij mbeti si zë në eshtra.
2.
I thashë: o dëshmitar që hesht e rri çelë,
Sa ushtri t'huj n'këtë truall kanë shkelë?
N'luftrat e Bogdanit, n'këtë tokë ke parë,
Kur në Hashani mbillnin besën si farë.
3.
Guri m'u përgjigj me një krismë në tokë:
Pashë Matë Hashanin që u nis me shokë,
I pashë plagët e tija, ia ruajta atë gjak,
Sot t'i thurësh këngë e t'i dalësh hak.
4.
Ah, sikur t'isha unë guri, do të flisja,
Çdo të vërtetë botës sot do t'ia nisja!
Por guri s'është i ftohtë, guri ka një zë,
Në shpirtin e poetit ai nuk vdes më.
5.
Nga pellazgu i vjetër e deri tek iliri,
Ky gur ka bekimin që flet më së miri,
Dhe guri i Dardanisë sot na bashkon,
Gjaku i shpërndarë te rrënja na takon.
6.
Nga Feraj e pash te Vranja në fushë,
Ku muret e vjetra ende rrinë si prush,
Kalaja e Markut, o dardan i lashtë,
Që dy mijë vjet histori mban jashtë!
7.
Të quajtën sllavët me emra të huaj,
Gurët flasin, n'gjuhën time i shkruaj,
Ti ishe kala para Romës e mbretërve,
Roje e epokës, dëshmi para njerëzve.
8.
Mbi Majën e Sitilisë ku qielli bëhet urë,
Krushqit e Sharenit ende flasin n'gurë,
Nuk ka perandori që këtë kod e shuan,
Kur Guri i Dardanisë rrënjët tona ruan.
9.
Kullat e vjetra, lëshojnë fort një dritë,
S'ka dry që i mban të fshehura ndodhitë,
Kushtrimi i kalave nëpër male po shkon:
Kush ka lindur në gur, ai kurrë s'harron!
10.
Në Arën e Babës Plak ra një rreze e artë,
Ku historia mbillet me dorë e zë të lartë,
Ali Jakup Fera e pat mbledhur këtë besë,
Që rrënja e kësaj toke kurrë mos të vdes.
11.
I thashë: O gur, ty po ta kam lakminë,
Ti që në brendi e mban tërë historinë,
S'tundesh nga era, as nga rrebeshi i zi,
M'hap atë kraharor, të shoh çka ke n'gji!
12.
Mos ma ki lakminë që unë jam i lidhur,
Unë flas përmes teje, o shpirt i ndritur,
Pa ty do të isha thjesht një hije e shkretë,
Ti ma jep shpirtin mua, unë ty të vërtetë.
13.
Këtu gruri rritet mbi gjak e mbi djersë,
Mbi kufijtë me dhunë na lanë n'harresë,
N'shtatëdhjetë e tetë na ndanë me thikë,
Malësia Hashanisë nuk njohu kurrë frikë.
14.
Dhe dëgjoj një zë që vjen nga ajo brendi.
Muret po thërrasin: O Kujtesar, ku je ti?
Na mbuloi harresa, na mbuloi ky pluhur,
Rrënjët tona kurrë s'kanë për t'u shkulur!
15.
Dhe kur ulem mbi gurin e flas me të,
E ndiej se përmes vargut po lëshoj zë,
Se unë jam Kujtesari dhe sot e bëj be:
Kam lindur te ky gur, do t'jem mbi dhe!
Lazim Miftari
4 Tetor 2026, Prishtinë