ITALI / IRMA KURTI SHPALLET FITUESE ABSOLUTE E KONKURSIT LETRAR NË NAPOLI
Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti shpallet fituese e çmimit të parë dhe fituese absolute e Edicionit të vitit 2024 të Konkursit artistik letrar ndërkombëtar Scriptura në Napoli, themeluar, promovuar dhe organizuar nga Anna Bruno. Poetja shqiptare u vlerësua me vendin e parë në seksionin e poezisë në gjuhë të huaj me poezinë e titulluar “Pika uji dhe lot”. Vargjet i këndojnë me mall dhe nostalgji vendlindjes, oborrit të shtëpisë ku ajo luante së bashku me fëmijë të tjerë, kthimit një ditë në strehën e kujtimeve. Motivacioni i çmimit: Me një gjuhë përshkruese lineare, "ajo që vjen pas" paraprin dhe motivon “të kaluarën", falë kujtesës reale dhe të prekshme. Shtëpia është shprehje e ndjesive personale të poetes dhe, si një arkë thesari, ajo përbëhet nga një mori fjalësh ndjellëse. Poetja si një zog shtegtar do të përshkojë hapësirën midis oborrit “ku vraponte dikur fëmijë” si dhe “rrugicave pa emër”.
Irma Kurti u shpall gjithashtu fituese absolute e Edicionit të 2024 të këtij Konkursi, duke u përzgjedhur nga fituesit e çmimit të parë në seksione të ndryshme, bazuar në numrin më të lartë të pikëve të marra.
Juria për vitin 2024 përbëhej nga: Presidentja, me të drejtë vote, Anna Bruno; nga profesorët Regina Célia Pereira da Silva, Anna Mucerino, Carolina Romano dhe Vincenzo De Luca; nga arkitekti Gimmi Devastato; nga avokati Federico Maria de Luca nga Melpignano; nga fotografi Pino Galasso; nga aktorët Ivana D'Alisa, Gigliola De Feo, Andrea Fiorillo dhe Aldo Manfredi; nga muzikantët Emanuele D'Onofrio dhe Antonio Marotta si dhe nga poetët - shkrimtarë: Angelo Amato de Serpis, Giuseppe Bianco, Pietro Damiano, Emanuela Esposito, Antonio Masullo, Claudio Perillo, Mauro Romano dhe Giuseppe Vetromile. Numri i pjesëmarrësve në konkurs ishte 635.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, SHBA, Filipine, Liban dhe Kinë. Është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 16 vende të botës.