Florim Zeqa, cikël poetik

Florim Zeqa, cikël poetik
MONOLOG ME NËNËN
 
Unë të shikoj në foto,
ti më shikon nga lartë,
unë të flas,
ti më dëgjon.
Çdo ditë isha me ty nënë,
të pyeta për gjithçka,
më ktheve vetëm një përgjigje,
beso në çfarë të sjellë jeta.
Të vërtetën që mora nga ti,
në zemër do e mbajë,
testament i artë,
siç mbanë djali për nanë.
Realitetin e ri,
dot s’ e pranoj,
pa buzëqeshjen e lotin mallëngjyes
nuk mund të qëndroj.
Biseda e mbetur në gjysmë,
çdo ditë më përvëlon, heshtur rri e të imagjinoj,
në mrekullinë e parajsës,
ku trupi Yt pushon.
Kur të vijë koha të shihemi përsëri
Do t’i puth ata dy sy!
 
TË KROI I FSHATIT TIM
 
Ç’mallje dhe nostalgji,
meditim dhe dashuri,
për kohën e kaluar,
plot ëndrra për ardhmëri.
Kur ishim të rinj,
tek kroi i fshatit,
loznim dhe këndonim,
për ditët e mira,
që i prisnim të vijnë.
Në ditët me vapë,
me ujin e kulluar të kroit,
që buronte nga thellësia e tokës,
freskonim shpirtin e dëlirë.
Pushtimi i egër barbarë,
na i prishi ëndrrat rinore,
na ndërroi rrjedhën e jetës,
larg trungut stërgjyshor.
Edhe pse ne larg,
të tretur n’dhe të huaj,
kroi asnjëherë nuk u ndal,
vazhdoj rrjedhën e tij.
Qëndroi besnik,
në trungun e lashtë,
për t’na kujtuar,
amanetin e të parëve,
për kthim n’vendlindje.
Uji i kroit të fshatit,
më dha forcë dhe energji,
për t’u kthyer,
shpejtë në atdhe.
Për të shijuar,
më të madhen pasuri,
ujin dhe bukën e ëmbël,
në të bukurën Dardani.
 
ËNDËRRA PËR ATDHE
 
Ditët e gjata në mërgim,
shpresat për kthim n'vendlindje m'i shtojnë.
Të shoh si rritet atdheu im,
ta ndjejë frymëmarrjen e lirë,
të popullit tim.
Vendlindja ime e shtrenjtë,
këtu n'mërgim rri e vuaj,
me mallin për ty, jetës kornizë i bëj,
panoramë e ndjeshme, këtu në vend të huaj.
 
E kur të vdes,
dua që dheu i yt të më mbuloj.
Edhe i vdekur, në varr,
aromën e dheut ta shijoj,
nën erën e blinit të djegur ndër shekuj,
ndoshta shpirtin qetësoj!
................................
Biografia
Florim Zeqa u lind më 30 gusht të vitit 1963 në Bokshiq të Klinës. Shollën fillore e kreu në Grabanicë, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet në fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë.
 Me 11 mars 1982, në përvjetorin e demonstratave të vitit 1981, arrestohet nga forcat policore serbe në Mitrovicë.
 Në vitin 1990 fillon aktivitetin politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
 Në kohën kur regjimi pushtues serb sulmoi arsimin shqip, si dhe duke larguar nxënësit shqiptarë nga objektet shkollore, Florim Zeqa emërohet kryetar i Komisionit “Ndihmë me kuadro” për arsimin shqip në komunën e Klinës.
 Poashtu, ishte një ndër organizatorët e protestave 1989/90. Bashkërezistues në mosndryshimin e emrave të sh. fill. “Azem Bejta” në Grabanicë dhe të shk. së mesme “Luigj Gurakuqi”në Klinë.
Ishte anëtar i strukturave rezistuese, kundër pushtuesit, në nivel të BL Grabanicë. Punoi si mësimdhënës në shkollën fillore “Azem Bejta” në Grabanicë.
 Edhe në emigrim, Florim Zeqa vazhdon veprimtarinë atdhetare në organizimin e mërgatës shqiptare në Itali duke u vënë në ballë të shumë nismave e aksioneve humanitare për Kosovë, si:
 - Iniciator i peticionit kundër ish- ministrit të punëve të jashtme të Italisë, në prill të vitit 1998,
 - Iniciator i parë në ndihmë të fondeve të luftës,
 - Propozues i parë për kryetar të fondit Vendlindja Thërret, për regjionin e Venetos, të cilin post e ka refuzuar,
 - Pjesëmarrës i shumë aksioneve humanitare në ndihmë të popullatës së Kosovës gjatë luftës në Kosovë,
 - Donator aktiv i fondit të Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe i fondit Vendlindja Thërret si dhe i të gjitha fondeve për lirinë Kosovës.
 Florim Zeqa ishte përfaqësues i të huajve në "La Rete Interistiuzionale", në rajonin e tij ku banon, një organizatë që merret me organizimin dhe mbarëvajtjen e nxënësve të huaj në shkollat italiane.
 Pastaj, pjesëmarrës në shumë ekspozita multietnike, e, që Kosovën e ka përfaqësuar me dinjitet të madh me vlerat e saja etnike.
 -Ishte iniciator për krijimin e Lidhjes së Shqiptarëve të Kosovës, që kishte për qëllim unifikimin e të gjithë shqiptarëve jo vetëm në provincën e Trevisos, por edhe në nivel regjional e më gjerë.
 -Iniciativa e fundit ishte themelimi i paraleles së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Quinto (TV-Itali).
Florim Zeqa krahas aktivitetit dhe veprimtarisë atdhetare në mërgatë, merret edhe me gazetari dhe publicistikë.
Deri më tani Florim Zeqa i ka mbi 3 mijë shkrime autoriale të botuara në të përditshmet tona, prej të cilave mbi 100 për aktivitetet e mërgatës sonë si dhe me dhjetëra shkrime në gazetat italiane.
Përveç gazetarisë dhe publicistikës, Florim Zeqa merret edhe me krijimtari letrare, ku deri më tani i ka 11 libra të botuar, njërin prej tyre edhe në gjuhën italiane. Një libër e ka në fazën e botimit dhe dy të tjerë në përgatitje e sipër.