NA NDODH...
Ndodh të lodhem së dashuri prej teje
Prej lodhjes grindemi e ikim kuturu
Ndodh...
Ndodh në kthim të duhem, e duhemi pa u lodhur
Të joshur nga kureshtja, rishtas të saponjohur
Ndodh...
Ndodh të më gënjesh e shpirtin të ma zbrazësh
Trishtimi më rrëmbush, por mendjen s'ma mbush dot
Ndodh...
Ndodh të më humbasësh e të jemi sërish bashkë
Mes nesh kur rrjedhin ujëra ne dalim pa u lagur
Ndodh...
Nuk di si ti shpjegoj
Ndodh, por jo dy herë njësoj...
VAKUUM...
Në këtë festë llamburitëse
Çdo gjë është prekur nga shkopi magjik
Veç shpirtit që diku larg më rri pezull ...
Nuk mungojnë vështrimet mbi mua
E sigurtë për tu shfaqur e dukur
As fjalët nuk peshohen
Më bëjnë të ndihem e bukur
Pa qenë e lumtur...
Muzika ma tund e shkund trupin
Pa ma sjellë dot shpirtin në festë
Gjithçka është me tepri këtu
Unë ndiej një mungesë...
Shihe
Në këndin e buzës më mungon puthja jote
Edhe pse veshët kumbojnë
Të kam fat, shpirt, jetë
Shpirti rend pas teje
Trupi gëzon në festë...
PËRDITSHMËRI ËNDRRE
Gjithë ditën
Ne jemi rreth e rrotull planetit
Në kërkim të njëri- tjetrit
Vjen nata na gjen në planetë të tjerë
Universin si dritare hap, wë të të gjej
Ngjyej gishtin me hënë
E vë tek buzët
Ti e sheh
Merr puthjet...
Mbush zarfe me zemra dhe vargje
Mëngjeseve t'i bëj pragje
Ti pengohesh aty duke gugitur
Si pëllumb i bardhë
Duke mu bërë ngjarje, lajm...
Para se ditës t'i nisim fluturimin
Njëri -tjetrit i dhurojmë qiellin
Pa u prekur...
Pa u gjetur...
AH! TË MË DISH...
Nëse duke më kundruar këndshëm
Diçka fillon rritet tek ty
Duke të rritur brenda meje instiktivisht
E pamjaftueshme është
Të qenurit vetëm mashkull
Që të më kesh sërish, sërish...
Nëse duke më folur gjithë kohën
Parajsën në tokë ma zbret
Për të më pushtuar shpirtin
Magjia e fjalës më josh e më rrek
Është pak megjithatë, me fjalë
Që të më mbash pranë vetes
Kujdes, zjarri i fjalës time të djeg
Nëse ankohesh për femrat
Se mendja e tyre të tremb
Unë edhe djallin e fus në shishe
Edhe veten tek ty e lë peng
Një krahë engjëlli ty të duhet
Tek unë të jesh e të mbetesh
Nën lëkurën time të rrish
Ah, të më dish...